Tenderi i dyshimtë i Postës Shqiptare: 42 milion lekë për fituesin e paracaktuar?

Mjeshtrat e vjedhjeve përmes prokurimeve publike janë bërë më zgjuar tani që çdo gjë kryhet online duke mos bërë më pazare me zarfet.

Tashmë, pazaret bëhen kryesisht para dhënies së ofertës për një punë apo shërbim të kërkuar nga institucionet publike.

Një ndër format më klasike është përcaktimi i kushteve të pjesëmarrjes në tender në atë formë, të cilat përkojnë vetëm me specifikat e ofertuesit të paracaktuar si fitues.

Një rast i ngjashëm që ngjall mjaft dyshime për një aferë të tillë, e cila duhet të verifikohet nga organet përgjegjëse është pikërisht tenderi prej 4.2 milion lekësh i shpallur nga Posta Shqiptare për "materiale promocionale".

Albeu.com e ka ndjekur edhe më parë këtë tender për shkak të specifikave të shpalljes së tij si edhe veprimet e dyshimta në lidhje me përcaktimin e kushteve për pjesëmarrësit.

Në radhë të parë, vlen të përmendet fakti se tenderi në fjalë u shpall në dy ditët e fundit të vitit 2017 duke i lënë kompanive një afat tepër të kufizuar për të marrë pjesë. Afati limit ishte data 8 janar e këtij viti.

Duhet marrë në konsideratë fakti se kjo periudhë përkon me pushimet e Vitit të Ri ku pjesa dërrmuese e kompanive i kanë punonjësit në shtëpi, gjë e cila prish barazinë në pjesëmarrje dhe shton dyshimet se kemi të bëjmë me një aferë korruptive.

Por, ka një detaj edhe më interesant sa i përket çështjes në fjalë. Mësohet se Posta Shqiptare e shpalli fillimisht këtë tender më datë 14 dhjetor dhe kompanitë kishin mundësi të merrnin pjesë deri më datë 27 dhjetor 2017.

Megjithatë, Posta Shqiptare e anuloi praktikën në fjalë me arsyetimin: Për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik.

Në shpalljen e dytë, Posta Shqiptare ka vendosur një serë specifikash, të cilat i përmbushin një numër tepër i kufizuar operatorësh në Shqipëri.

Kleçka është tek kriteri 4.2.2, i cili lidhet me kualifikimin e stafit.

Kriteri 2.2.4 ishte: Operatorët pjesëmarrës duhet të paraqesin Certifikat ISO 9001 -2015 ose ekuvalente.

Kriteri 2.2.4 bëhet: Operatorët pjesëmarrës duhet të paraqesin Certifikat ISO 9001 -2015 ose ekuvalente që i referohet objektit të prokurimit

Në këtë mënyrë është kufizuar ndjeshëm numri i atyre që mund të japin oferta për tenderin në fjalë.

Albeu.com do të ndjekë në vijim zhvillimet me tenderin dhe fituesin e praktikës në fjalë.

Në krye të Postës Shqiptare është Lart Duraj, ish-kandidat për deputet në qarkun e Lezhës, i cili e ka marrë detyrën në nëntor të këtij viti. Pas marrjes së detyrës nga Duraj, muaji dhjetor duket të ketë qenë mjaft i ngjeshur me tenderë tek Posta Shqiptare. /albeu.com/
Shtuar më 17/01/2018, ora 14:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori