Temperaturat e larta, OSHEE masa për furnizimin me energji elektrike
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, bën të ditur se po ndjek me vëmendje situatën e furnizimit me energji elektrike, në kushtet kur vendi është përfshirë në temperatura të larta, mbi 40° celsius, duke sjellë një rritje të konsumit të energjisë elektrike mbi ato normale të sezonit.

Përmes një deklarate për shtyp, OSHEE thekson se për çdo rast janë marrë masa përmes lidhjes unazore për institucionet e rëndësisë së veçantë duke i furnizuar pa ndërprerje, ndërsa abonentëve iu është rikthyer energjia brenda kohës së mundshme, falë furnizimit nga linja të dyta paralele.

OSHEE apelon qytetarët për mos përdorimin pa kriter të pajisjeve elektroshtëpiake, duke e shtrirë aktivitetin e tyre në kohë dhe jo në mënyrë të njëkohshme, si dhe përdorimin e pajisjeve ftohëse në regjime temperaturash sa më optimale në raport me ato të mjedisit të jashtëm, duke siguruar kështu një eficencë energjetike ndërmjet banesës dhe mjedisit të jashtëm.

Sakaq, për të qëndruar sa më pranë me informacionin dhe marrjen e të dhënave për defekte të mundshme, OSHEE vijon të ketë në dispozicion numrin call center, 04 22 74 141, i cili funksionon nga ora 07.00 e mëngjesit deri në 23.00 të mbrëmjes. Për shkak të fluksit të telefonatave, OSHEE ka vendosur në dispozicion edhe numra të tjerë call center 24 orë, sipas rajoneve. /albeu.com/
Shtuar më 01/07/2017, ora 14:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori