Teknologji e re, zgjidhet problemi i vjedhjes së kabllove në aksin Prush-Gropaj
Pëlqej
Gjatë inpektimeve të punimeve në aksin rrugor Prush-Gropaj, kryeministri Edi Rama është shprehur se përdorimi i teknologjisë së re do të zgjidhë një nga problemet që lidhet me vjedhjen e kabllove.

“Me futjen në përdorim të një teknologjie të re edhe për Europën, synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe njëherësh, e shndërron Shqipërinë në një model në këtë drejtim. E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë”, tha Rama.

Sipas tij, kjo teknologji do të zgjidhë problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër sipas Kryeministrit është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë, kryesisht për shkak të pamundësive.

“Është hera e parë që ne po eksperimentojmë një teknologji të re të ndriçimit rrugore. Është fjala për fotovoltaikët. Kanë independencë disaditore, edhe në kohë me shi. Siguron një autonomi dhe s’ka nevojë për ndriçim dhe për pagesat që duhet të bëjë komunat, që shpeshherë janë të rënda për buxhetin e komunës. Kjo s’ka asnjë pagesë gjatë gjithë periudhës dhe siguron pavarësi të plotë të ndriçimit,” u shpreh Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci.

Rikonstruksioni i rrugës Prush-Gropaj të komunës Vaqar në Tiranë është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Shtuar më 22/09/2014, ora 14:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori