Të varfër, por shqiptarët paguajnë me çmimet më të larta ushqimet e pijet
Pëlqej
Shqipëria nuk është aspak vendi më i lirë në Europë sa i përket çmimeve për mallrat e konsumit apo shërbimet.

Eurostat thotë se, Shqipëria është më e shtrenjtë se Serbia dhe Mali i Zi në Europë, sa i përket çmimeve të shprehura në paritetin e fuqisë blerëse.

Në vendin tonë, çmimet në total janë sa 52% e mesatares europiane, ndërkohë që në Serbi janë në 51% dhe në Maqedoni në 47%. Të gjitha vendet e tjera të Europës përfshirë rajonin janë më të shtrenjta se ne, shkruan Scan.

Nga të dhënat e Eurostat vihet re gjithashtu se, Shqipëria është më e lira në Europë në kategorinë e restoranteve edhe hoteleve, me çmimet sa 40.3% e mesatares europiane.

Tjetër kategori që e vendos Shqipërinë në pozitën e më të lirës në Europë është ajo e pajisjeve të transportit personal, me çmimet në 79.3% të mesatares europiane.

Kjo kategori ndërkohë, është e vetmja ku çmimet në raport me Europën janë ulur në krahasim me vitin 2016.

Kategoria që ka pësuar rritjen më të madhe në krahasim me vitin paraardhës ndërkohë, është ajo e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, ku çmimet kanë kapërcyer nga 71.9% e mesatares së BE, në 74.9%.

Ky është niveli më i lartë që prej 2007, kur ka filluar edhe mbledhja e këtyre të dhënave. Kjo tregon se Shqipëria po i afrohet Europës në një indikator ku askush nuk do të dëshironte, atë të çmimeve.

Sa i përket veshjeve, shqiptarët i paguajnë thuajse sa europianët, me një normë në 97%, nga 95.5% të vitit paraardhës.

Në drejtim të shpenzimeve të përgjithshme familjare Shqipëria lë pas edhe vende të tjera të rajonit e më gjerë, si Bullgaria apo Turqia, me një normë në 52.3% të mesatares europiane dhe lehtë mbi mesataren e vendeve kandidate, që fiksohet në 51.2%.

Në këtë kategori, çmimet kanë prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2009. Në barometrin e komisionit europian për 2018, thuhej qartë se, shqiptarët vlerësojnë si problemin e tyre kryesor rritjen e çmimeve.

Me të dhënat më të fundit të Eurostat, ky shqetësim duket i justifikuar. /albeu.com/

Shtuar më 21/06/2018, ora 10:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori