"Të skuqet domatja për dy ditë", truket e fermerëve që po na rrezikojnë shëndetin
“Top Story”, pasi ka siguruar një hormon për pjekjen e parakoshme të domateve, ka udhëtuar drejt një fshati ku banorët kultivojnë domate në sera, për eksport.

Këto sera janë krijuar nga banorët, të mbështetur nga finacimet holandeze. Duke qenë se këto domate janë të destinuara për eksport, niveli i pesticideve dhe hormoneve që përdoren është brenda standardeve që parashikon Bashkimi Europian.

Fidanët e domates në serën e vizituar janë “Matias” dhe janë farë holandeze. Në praninë e një agronomi, ne realizuam nxjerrjen e 3 fidanëve me rrënjë dhe mbielljen e e tyre në vazo.

Këto 3 fidanë udhëtuan në Tiranë për t’u bërë pjesë e një eksperimenti për pjekjen e parakohshme të domateve. Ditën e parë nuk përdorëm hormonin që kemi siguruar dhe i lamë bimët të qeta, që të rigjeneroheshin.

Ndërkohë, ditën e dytë kemi përzier hormonin rritës “Ethiomex” me një ushqyes të quajtur “Sprinter-K”. Më pas është lyer sipërfaqja e domates me copë dhe është lënë në një vend me diell. Qëllimi i këtij hormoni është përshpejtimi në mënyrë artificiale i pjekjes së domates.

Për dy ditë rresht është lyer domatja me hormonin për pjekje dhe…domatet nisën të skuqen. Ne menduam që të vijojmë edhe me një fazë të dytë të lyerjes së domates, për të garantuar një pjekje sa më të shpejtë.

Preparati tjetër i përdorur gjatë këtij eksperimenti është një ushqyes i cili përdoret nga fermerët për të garantuar fortësinë, si dhe shkëlqimin e domates.

Në më pak se një javë, kokrrat e domates janë pjekur nga lyerja me hormonin e përdorur. Këtë truk e përdorin shumë fermerë, të cilët duan që të nxjerrin sa më parë në treg prodhimet e tyre. Mungesa e kontrolleve nga instancat përgjegjëse, për sasinë e përdorimit të hormoneve dhe pesticideve, si dhe çmimet e larta me të cilat tregtohen perimet jashtë stinës, kanë bërë që fermerët t’i përdorin ato pa kriter.
Shtuar më 24/04/2019, ora 22:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori