Pro apo kundër? Salianji “thyen akullin”, reagon për largimin e Grida Dumës

Dy deputetë të Partisë Demokratike, Grida Duma dhe Alfred Rrushaj njoftuan këtë javë lënien e mandatit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit.

Largimi i tyre u komentua në emisionin “Pikat mbi i”, ku të ftuar ishin deputeti i PD-së, Ervin Salianji dhe analisti Artur Zheji. Salianji është shprehur në News 24 se lënia e privilegjeve të deputetes janë sakrificë e madhe që nuk e bëjnë shumë persona ndërsa shtoi se kjo duhet t’i shërbejë opozitës për të gjetur rrugën.

“Dorëheqjet nuk janë të ngjashme qoftë për shkak të profilit politik, qoftë për shkak të personalitetit politik, por qoftë edhe për shkak të kontributeve të dhëna në vite. Nuk kanë të njëjtat sakrifica dhe as kontribute brenda partisë. Problemi në Shqipëri është që politikanët nuk largohen, nuk e kanë pjesë të moralitetit politik apo kulturës politike dorëheqjen dhe kapen me thonj pas karrigeve politike. Dorëheqja e Gridës është e përsëritur si akt, pas dorëheqjes si nënkryetare, politikanët si rregull tërhiqen kur kanë kuotat më të ulëta, Grida u tërhoq në një moment kur kishte kuotat më të larta dhe popullaritet të madh. Tërheqje. E shoh si mospërfshirje në betejë brenda opozitës të profileve të larta, sepse krijohen kosto të mëdha. Lënia e privilegjeve të deputetes është sakrifice që pak e bëjnë, duhet ti shërbejë opozitës për të gjetur rrugë, si kumbin qoftë për ata që janë brenda, apo si lëvizje për të ndihmuar nga jashtë. Këtë profil e bëjnë vetëm politikanë që vijnë me një personalitet të caktuar, pra dorëheqjen e bëjnë njerëz që kanë sedër dhe integritet politik. Edhe në rastin e Rrushajt besoj që është një akt për tu vlerësuar, pavarësisht se kontributi dhe sakrifica nuk janë të njëjta”, tha Salianji.