Te shqiptarët PDSH-së i rritet përkrahja, BDI-së i ulet
Albeu.com
Anketa më fundit e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) e realizuar gjatë muajit qershor për herë të parë në njësinë e gjashtë zgjedhore e vë në përparësi partinë shqiptare në pushtet - PDSH karshi BDI-së opozitare.nga Besim ILJAZI (Koha)
Anketa gjithashtu PDSH-në e nxjerr në pozicion më të favorshëm nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, për çka votuesit shqiptarë i kanë dhënë mbështetje më të madhe, krahasuar më BDI-në. Te votuesit e spektrit politik shqiptar në pyetjet se për kë do të votonit nëse zgjedhjet mbahen tani, PDSH ka tendencë rritjeje, edhe atë prej 23 sa ka patur në mars, tani ka rritje në 27 për qind, ndërsa te BDI ndodh e kundërta, nëse në mars kishte 41, në qershor përkrahja ka rënë në 38 për qind. Rritje është shënuar edhe te PPD-ja, e cila në mars ka pasur vetëm 1 për qind, në qershor popullariteti i kësaj partie ka shënuar 3 për qind.
Përveç rejtingut për çdo njësi zgjedhore, hulumtimi përfshin edhe rejtingun e partive, si dhe besueshmërinë e qytetarëve në institucionet shtetërore. Notimi është bërë nga 1 deri në 5, ndërsa aty kryeson Qeveria me 3.06, e pasuar nga opozita me 2.25, Kryeministri me 3.4, Presidenti 2.34, dhe Parlamenti me 2.41. Ndërsa, te partitë notë më të madhe vazhdojnë të kenë partitë qeverisëse VMRO dhe PDSH, duke avancuar ndaj rivalëve politikë LSDM, respektivisht BDI. Gjithnjë sipas notimit, VMRO-DPMNE ka siguruar notën 3.04, LSDM 2.09, PDSH 1.95, BDI 1.78, PL 2.04, PRSD 2.34, Ripërtëritja Demokratike 2.35 dhe PLD 1.97. Zvogëlim vërehet në kampusin politik shqiptar, ku BDI minimalisht kryeson me notë 3. 44, PDSH me 3.24 dhe PPD me 2.5. Zvogëlim në shkallë të përgjithshme nëse zgjedhjet mbahen tani vërehet te PDSH, e cila prej 8 sa ka patur në mars, tani ka 6 për qind, ndërsa BDI prej 8 ka arritur në 9 për qind. Sipas përqindjes për njësi zgjedhore, Partia Demokratike Shqiptare për të parën herë kryeson ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim në njësinë më të madhe zgjedhore, atë të gjashtën, kurse kjo e fundit ruan përparësinë në njësinë e parë dhe të dytën. PDSH në njësinë e gjashtë gëzon mbështetjen e 30,3 për qind të trupit votues, kurse BDI-në përkrahin 23.2 dhe PPD-në 1.6 për qind. Në njësinë e parë zgjedhore paraprijnë BDI me 13.2, ndërkaq PDSH-në mbështesin 5.8 për qind të elektoratit. Edhe njësinë e dytë e prin partia opozitare shqiptare me 3.3 për qind karshi PPD dhe PDSH-së, të cilat kanë siguruar 2.1, respektivisht 1 për qind. Në kampusin politik maqedonas në pyetjen se për kë do të votonit nëse zgjedhjet mbahen tani, përsëri hulumtimi ka avancuar partinë pushtetare maqedonase. Nëse për VMRO-në në mars do të votonin 29 për qind, në qershor kjo shifër është rritur për 1 për qind, kurse te LSDM në prej 10 në mars në qershor është zvogëluar në 8 për qind. Anketa është jozyrtare dhe është realizuar në 1.108 anketues prej datës 13-18 qershor.
Shtuar më 03/07/2007, ora 18:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori