Ish-ministri Lleshaj: Krimi të luftohet me mësues, efektivët duhet të vijnë nga universitete elitare

Ish-ministri i brendshëm Sandër Lleshaj është shprehur se lufta kundër korrupsonit dhe krimit të organizuar është e pamundur të bëhet vetëm nga policia. I ftuar në “Top Story”, Lleshaj tha se edhe uniformat blu duhet të kenë një nivel kualifikimi më të lartë se sa thjesht academia. Ai shtoi se efektivët duhet të vijnë nga radhët e universiteteve elitare në vend.

Sipas ish-ministrit Lleshaj, vulnerabiliteti i efektivëve rritet më shumë kur janë pagat e ulëta dhe kjo, shtoi ai, është një arsye e fortë për të rritur pagën e tyre.

“Krimi para se të luftohet me policë duhet të luftohet me mësues se kur vjen puna tek policët ne luftojmë pasojat dhe jo krimin. Lufta kundër krimit është diçka shumë serioze dhe nuk mund t’i lihet në dorë vetëm policëve. Policët duhet të vijnë nga universitetet elitare të vendit jo nga akademia e policisë. Propozimet për pagat janë bërë në çdo buxhet si nje problem i madh kanë qenë borxhet që policia kulmonte ndaj anëtarëve të saj. Pagat duhet të trajtohen në kompleksin e tyre. Vulnerabiliteti rritet kur pagat janë të dobëta, ai që shitet shitet nuk mund të shmangen rastet e tilla. Unë jam përpjekur të identifikoj atë që kam mundur por kur je brenda nuk mund të shohësh çdo gjë, duhen parë pak nga larg,”- tha Lleshaj.