Nuk mori fonde për zgjedhjet, Berisha tregon si do e përballojë fushatën: PD-në po e financon fryma e fitores

Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti një akt të turpshëm vendimin e KQZ-së për ndarjen e fondeve për partitë politike në zgjedhjet e 1 majit.

Ai tha për mediat jashtë Kuvendit se fushata do të financohet nga kontributet e vullnetarëve, pasi nuk mori fonde për zgjedhjet lokale.

“Një nga aktet më të turpshme, më të shëmtuara është se mundi, djersi dhe taksat e 620 mijë qytetarëve që votuan PD-në, grabiten nga një grup, pengje të Edi Ramës. Jo pak, por janë 2 milionë dollarë, 1 milionë dollarë është vetëm fushata. Përfaqësuesit e 620 mijë votuesve nuk marrin asnjë qindarkë. Kjo tregon fytyrën e shëmtuar të këtij regjimi. Ky tregon keqpërdorimin e dyshes famëkeqe Alibasha-Brava. Por asgjë nuk e pengon PD-në. Ajo do financohet nga kontributet vullnetare të anëtarëve të saj. Së shpejti do njoftojmë një rregullore për përballimin e fushatës. PD-në po e financon fryma e fitores. Ka një frymë fitoreje kudo që shkon.
Ju e shihni se Erion Veliaj ngarkon në furgona punonjës të policisë dhe përgatit takimet vetëm me punonjës të bashkisë.

Edi Rama e hapi fushatën vetëm me nomenklaturën e tij të korruptuar, se edhe ai ka frikë nga qytetarët.
Pra, janë në një dëshpërim të thellë. Forca politike e idealeve të lirisë, e transformimeve epokale të Shqipërisë është në një ngjitje vertikale. Janë të pashpresë”, tha Berisha.


Shtuar 13.04.2023 13:13