Te mos harrohet Manastiri
Albeu.com
Pas debateve të fundit politike rreth kryeqendrave shqiptare Shkupi dhe Tetova, kanë reaguar shqiptarët e Manastirit nëpërmjet shoqatave të tyre. Manastirasit apelojnë që sytë të drejtohen kah kryeqendra e dikurshme shqiptare e themelimit të aspiratave për shtetëformësimin e shqiptarëve.
“Politika shqiptare përfundimisht të lë anash projektet e errëta se kush është kryeqendra e shqiptarëve dhe të merret me interesat për mbrojtjen e trashëgimisë dhe shtimin e kujdesit për ato kryeqendra, që tashmë janë lënë në harresë. Të mos biem pre e provokimeve dhe skenarëve që shkojnë në llogari të të tjerëve, për të futur vetëm sherrin midis shqiptarëve”, ka theksuar kryetari i shoqatës “Kongresi i Bashkimit” nga Manastiri, Fërgim Demiri.
Sipas tij, Manastiri po lihet në harresë dhe se dita ditës po shlyhet çdo pjesë që frymon shqip në sferën e arsimit, kulturës dhe vlerave të tjera të traditës.

“]farë janë reagimet e atyre zotërinjve që kanë harruar se vendimet gjegjëse për t`u themeluar një shtet i parë janë konfirmuar në Manastir, në qytetin ku ka ekzistuar foleja kombëtare dhe komiteti për çlirimin e Shqipërisë. Kanë harruar se atje diku ku kanë jetuar pellazgët, pra në Pellagoni, jetojnë disa mijëra shqiptarë të cilët janë lënë pas dore, si në aspektin e përfaqësimit të drejtë, nëpër komunat ku janë të pranishëm me një përqindje të konsiderueshme, ashtu edhe në rrafshe të tjera të shqiptarëve në këto anë. Ne si shoqatë dhe shqiptarët e Manastirit nuk do t`i mbështesim iniciativat çoroditëse të individëve dhe grupeve që i ndihmojnë këtij pushteti maqedonas për të qenë stabil dhe të improvizoj debate të paqenësishme, duke përcaktuar kryeqendrat shqiptare”, ka theksuar Demiri për agjencinë e lajmeve INA.

Shoqata “Kongresi i Bashkimit” ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë një fushatë për të ngritur zërin për anashkalimin dhe heshtjen totale që bëhet lidhur me Manastirin dhe Pellagoninë shqiptare. Reagimi i shqiptarëve të Manastirit ka pasuar pas debateve të fundit mediale midis qarqeve politike, joqeveritare dhe mediale se kush është kryeqendra shqiptare në Maqedoni. (ina)
Shtuar më 15/02/2010, ora 20:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori