Atmosferë festive në Londër: Mbreti Charles III në Pallatin Buckingham, të ftuarit presin kurorëzimin në Abbey

Që në orët e mëngjesit u grumbulluan dashamirët e monarkisë dhe qytetarë të tjerë në qendrën e kryeqytetit britanik, Londër. Kisha Westminster Abbey hapi dyert në mëngjes të shtunën për të pritur të ftuarit e parë. Të ftuarit më të rëndësishëm, mes tyre krerë shtetesh e qeverish dhe anëtarë të familjes mbretërore mblidhen pak para fillimit të ceremonisë. Kurorëzimi i mbretit Charles III fillon në orën 12:00. Në këtë ceremoni nuk do të marrë pjesë presidenti amerikan, Joe Biden. Ai përfaqësohet nga bashkëshortja e tij, First Lady, Jill Biden, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Një takim i Bidenit me Mbretin Charles III pritet në korrik. Por në ceremoninë e kurorëzimit priten mjaft krerë shtetesh e qeverish.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka uruar “thellësisht nga zemra” Mbretin Charles III dhe Mbretëreshën Camilla me rastin e kurorëzimit në Londër . Si mbret ju përfaqësoni unitetin në Britaninë e Madhe, ka shkruar Steinmeier duke theksuar se “jam i binudr, se përmes përvojës suaj ju do të ofroni orientim në kohë të pasigurisë dhe tranzicionit.”

Kundërshtarët e monarkisë protestojnë

Në sheshin e famshëm “Trafalgar Square”, ku do të kalojë edhe procesioni mbretëror janë grumbulluar që në orët e mëngjesit të së shtunës kundërshtarët e monarkisë. Një nga protestuesit, tha për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa, se shteti nuk duhet të shpenzojë qindra milionë euro për një ceremoni, kur ka njerëz në Britaninë e Madhe që nuk kanë pasur dot ngrohje në dimër dhe kanë vuajtur nga uria. Në protesta të shtunën janë ndaluar nga policia 6 persona, mes tyre edhe kreu i organizatës, “Organisation Republic”, Graham Smith, kanë bërë të ditur mediat. Pamje dhe video të lëvizjes “Alliance of European Republican Movements” tregojnë se si policia i shoqëron këta persona. Demonstruesit duan të prishin ceremoninë duke mbajtur pankarta ku shkruhet “Not my king”.