Lufta në Ukrainë, SHBA sanksionon Turqinë për ndihmën ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksione ndaj të paktën katër subjekteve me bazë në Turqi.

Uashingtoni i akuzon ata për shkelje të kontrolleve të eksporteve të SHBA-së, që përkthehet në ndihmë për Rusinë.

Sanksionet janë masa më e madhe ndëshkuese e Uashingtonit kundër Turqisë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë vitin e kaluar.

Masat, të cilat përfshijnë një kompani elektronike me bazë në Turqi dhe një investitor teknologjie që dyshohet se ka ndihmuar transportimin e artikujve “me përdorim të dyfishtë”, janë pjesë e një pakete ndërkombëtare sanksionesh të shpallura nga Departamenti i Thesarit i SHBA kundër më shumë se 120 njësive.

Një zyrtar i administratës amerikane i tha Reuters se sanksionet synojnë entitete dhe persona me bazë në Turqi në sektorët e transportit dhe tregtisë që janë në pronësi ose të lidhur me Rusinë.

Vendet perëndimore zbatuan kontrolle dhe sanksione të eksportit pasi Moska pushtoi gati një vit më pare Ukrainën. Megjithatë, kanalet e furnizimit kanë mbetur të hapura nga Hong Kongu, Turqia dhe qendra të tjera tregtare.

Duke cituar të dhënat e doganave ruse, Reuters raportoi në dhjetor se të paktën 2.6 miliardë dollarë komponentë kompjuterikë dhe pajisje të tjera elektronike u importuan në Rusi në shtatë muaj deri më 31 tetor. Nga këto, të paktën 777 milionë dollarë produkte janë prodhuar nga kompani perëndimore, mikroprocesorët e të cilave janë gjetur në sistemet e armëve ruse./Albeu.com/


Shtuar 12.04.2023 20:10