Plani i NATO-s: Negociata me rusët, pasi ukrainasit të rimarrin Kherson-in

Nga Claudio Tito “La Repubblica

Negociatat janë tashmë një opsion që po merret në konsideratë. Madje ato mund të nisin shumë shpejt, nëse avantazhi i Ukrainës në fushën e betejës do të jetë i dukshëm. Konkretisht pasi çlirimit të qytetit jugor Kherson, ku aktualisht po zhvillohet një nga betejat më të ashpra kundër ushtrisë ruse.

Në analizat e fundit që po qarkullojnë në zyrat e NATO-s në Bruksel, luftimet në atë zonë po marrin një vlerë jo vetëm strategjike nga pikëpamja ushtarake. Por edhe nga ajo politike dhe diplomatike. Mbi të gjitha, janë Shtetet e Bashkuara, ato që ua përcjellin aleatëve mundësinë e një ndryshimi të qasjes së deritanishme.

Sepse mposhtja e ushtrisë ruse në një nga portat më të rëndësishme për në Detin Azov dhe Krime, mund të nënkuptojë mundësinë konkrete të fillimit të negociatave të para reale me Moskën.

Në raportet që qarkullojnë mes liderëve të Aleancës Atlantike dhe bashkëbiseduesve të Bashkimit Evropian, analiza bazohet nga një supozim:tani ushtritë ruse gjenden nën presion, dhe në një pamundësi të dukshme për të reaguar me sukses ndaj përparimit të Ukrainës. Reagimi i tyre është i fokusuar më shumë në aspektet mbrojtëse, përmes shkatërrimit të infrastrukturës, rrjetit të energjisë elektrike, ujësjellësve, urave, rrugëve, ndërtimin e një linje të trefishtë llogoresh, si dhe përdorimin e barrierave natyrore siç është lumi Dniepr.

Synimi është të ngadalësohet përparimi i trupave të Kievit. Kherson nuk është thjesht një qytet:ai ka një pozicion vendimtar për daljen në det, dhe është një pikë kyçe për kontrollin e burimeve ujore dhe për transportin lumor. Rimarrja e tij nga ana e ushtrisë ukrainase do të nënkuptonte një ndryshim të përhershëm të drejtimit të konfliktit.

Pikërisht për këtë front, po vjen së fundmi një mesazh nga SHBA – përmes Brukselit – që përfaqëson edhe një ftesë për qeverinë ukrainase:nëse dhe kur Kherson të rikthehet në duart e saj, atëherë mund të fillojnë negociatat. Pra nga pozicioni i forcës dhe jo i dobësisë.

Çështja është se është hera parë që Shtëpia e Bardhë ka filluar të hipotetizojë një rrugë konkrete të këtij lloji. Megjithatë, jo pa çlirimin e Kherson-it. Pra jo negociata tani. Edhe sepse fillimi i negociatave në këtë fazë, do të nënkuptonte vetëm dhënien e kohës ushtrisë ruse për t’u riorganizuar.

Me fjalë të tjera, duhet së pari të konsolidohen disa rrethana strategjik themelore. Më pas të nisë dialogu me rusët, duke e “pasur thikën në anën e dorezës”. Po për këtë arsye Uashingtoni dhe NATO i kanë konfirmuar Zelensky dërgimin e ardhshëm të raketave të tjera, të afta të pengojnë goditjen e dronëve të prodhuar nga Irani.

Armët e tjera do të mbërrijnë në Kiev, pikërisht me synimin për të arritur qëllimin e rimarrjes së Kherson-it. Për më tepër, 2 janë aspektet themelore, tek të cilat po e vë theksin administrata amerikane në komunikimet tashmë të përditshme me aleatët e NATO-s.

E para ka të bëjë me kërcënimin rus të përdorimit të bombave bërthamore taktike. Ndonëse konsiderohet si një formë parandalimi që aktualisht nuk është aktive, ajo mbetet ende një rrezik që duhet shmangur.

Edhe sepse në këtë rast, jo vetëm që do të kishte pothuajse në mënyrë të pashmangshme një reagim më të gjerë me armët konvencionale, por do të bëhej e vështirë të frenohej nervozizmi i disa aleatëve si polakët, të cilët tani përfaqësojnë partnerin e BE-së ushtarakisht më të afërt për Uashingtonin (në fakt disa skema reagimi parashikojnë përdorimin e trupave të Varshavës).

Tjetra ka të bëjë me marrëdhëniet me Kinën. Me humbjen e Khersonit, kriza e ish-Ushtrisë së Kuqe do të ishte më se e dukshme. Zgjidhjet e hipotetizuara disa muaj më parë në lidhje me një “ndryshim regjimi” të mundshëm në Kremlin tashmë janë tejkaluar.

Në këtë pikë, për Shtetet e Bashkuara, disfata totale e Vladimir Putinit do të kishte një pasojë më të rëndë:do t’ia dorëzonte Kinës kontrollin e Rusisë. Do të ishte si të kalohet nga shiu në breshër. Pra Uashingtoni logjikon kështu:më mirë një udhëheqës armiqësor, por i dobësuar dhe i pavarur nga Pekini.

Natyrisht, plani amerikan varet edhe nga faktorët politikë, dhe i pari do të marrë formë këtë javë me zgjedhjet e mesit të mandatit. Mundësia që demokratët të humbasin shumicën si në Senat ashtu edhe në Kongres (me një fitore të kandidatëve Trumpianë), mund të ketë efekte të ndryshme.

Ashtu siç nuk është ende e qartë, nëse do të ketë bisedime kokë më kokë midis Biden dhe Putin gjatë samitit të G20-ës në Bali të Indonezi. Megjithatë lufta po hyn në një fazë tjetër për shkak të një lloj “përputhshmërie paralele” të interesave të Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë. Natyrisht, negociatat nuk do të çojë menjëherë në vendosjen e paqes në Ukrainë, por ndoshta tek një armëpushim në Donbass. Dhe po ashtu në zgjatjen e marrëveshjes mbi eksportin e grurit ukrainas. /abcnews.al


Shtuar 8.11.2022 12:03