“Nuk e kuptoj përse trajtohem ndryshe?” “I forti” i Vlorës i dënuar për vrasje kërkon të dalë nga 41 biss

Kërkesa e Viktor Ymerit, i akuzuar për vrasje, për të dalë nga 41 biss, u shqyrtua sot në Gjykatën e Posaçme.

“Nuk e kuptoj arsyen përse SPAK më ka futur në 41 biss dhe përse trajtohem ndryshe nga të tjerët”, është shprehur Ymeri.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura ai është shprehur: “kam tërë jetën burgjeve dhe më duket sikur nuk kam qenë ndonjëherë i lirë. Ato pak muaj qe më nxorën jashtë burgut, më bënë shumë keq se m’u vërsul i gjithë shteti mbi shpinë derisa më gjetën një pretekst për të më futur prapë në burg. Më mirë mos të kisha dalë fare se nëse nuk do kisha dalë nuk do isha në këtë proces”.

Gjatë këtyre akuzave dhe pasi nuk mundën ta qetësojnë, gjykata ka urdhëruar policinë ta largojnë të akuzuarin nga salla, sikurse thonë burimet për gazetaren Anila Hoxha.

Në maj të këtij viti, ministri i Drejtësisë njoftoi se pranoi kërkesën e SPAK për të mbyllur në regjimin e ashpër 41 biss tre të burgosur që dyshohej se vazhdonin të mbanin kontakte me anëtarë të grupit jashtë qelive, mes tyre Ymerin, shkruan tch.

Vlonjati Viktor Ymeri, nën akuzë për vrasje dhe Eldi e Klement Çala nën akuzë për grabitje me dhunë iu ndërpre komunikimi me të burgosurit e tjerë. Viktor Ymeri i njohur ndryshe dhe si “I forti i Vlorës”, bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës.

Pasi vuajti dënimin, Ymeri u lirua nga burgu në vitin 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të vitit 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-ën, të Vajdin Lame dhe Klodian Saliut.

Ymeri është shpallur fajtor si një ndër autorët e kësaj vrasje. Për këtë ngjarje ai dyshohet të ketë tentuar që të përfitojë nga skema e mashtrimit me kartelën e përgatitur nga dy zyrtarët e burgut të Peqinit që u arrestuan së fundmi.