Të gjitha prapaskenat e bisedimeve të Brukselit
Albeu.com
Dje, pas katër orë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Treshja Ndërkombëtare në Bruksel dhe të cilësuara nga të dyja palët si “intensive dhe të vështira”, përfundimi rezultoi shumë larg kompromisit.Shqiptarët e Kosovës hodhën poshtë një tjetër propozim për autonomi të gjerë nga Serbia duke theksuar se pavarësia është alternativa e vetme. Pas bisedimeve të djeshme, presidenti serb Boris Tadiç tha se vendi i tij është krejtësisht kundër një vendimi të njëanshëm. "Shpresoj se Hashim Thaçi dhe autoritetet e tjera të institucioneve të përkohëshme të Kosovës nuk do të ndërmarrin vendime të njëanëshme. Ne jemi krejtësisht kundër vendimeve të tilla. Nëse duam të arrijmë marrëveshje, vendimet e njëanëshme nuk janë rruga drejt arritjes së saj,” tha Presidenti Tadiç.

Nga ana e tij, i dërguari i Bashkimit Europian në bisedime, Wolfgang Ischinger, tha se mbetet optimist se përparimi është i mundur.Në tryezë është një plan i zotit Ischinger, për t’u ofruar palëve një marrëveshje për të ashtuquajturin “status neutral”, sipas të cilit, Beogradi dhe Prishtina do të binin dakord për disa masa praktike, si lidhjet tregtare dhe çështjet kufitare por pa diskutuar për pavarësinë.

Kurse SHBA-të, përmes zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak, përsëritën dje qendrimin e tyre të pandryshuar se rezultati përfundimtar i procesit të statusit duhet të jetë pavarësia për Kosovën. “Pozicioni ynë është i pandryshuar. Ne kemi qenë në kontakt me ambasadorin Ishinger i cili ka dalë me një nismë të Treshes. Por ne e kemi deklaruar se cili, për mendimin tonë, është pika përfundimtare dhe kjo është pavarësia,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Edhe serbët, me Kryeministrin Vojisllav Koshtunica kundërshtuan sërish dje planin për statusin neutral. "Nuk e kam dëgjuar kurrë një frazë të tillë si kjo e statusit neutral. Çfarë është statusi neutral? Në botë ekzistojnë turlifarë përkufizimesh për shtetet apo marrëveshje institucionale. Por çdo të thotë status neutral? Mund t’ju them se statusi neutral është një shprehje për të mbuluar faktin se Kosova dhe Serbia duhet të jenë shtete të pavarur dhe kjo për Serbinë është krejtësisht e papranueshme," tha Koshtunica.

Nga ana tjetër anëtari i ekipit negociues të Prishtinës, Skënder Hyseni, akuzoi serbët se po kërkojnë ta zvarrisin procesin pafundësisht. "Bazuar në ato që dëgjuam nga delegacioni serb, një synim i qartë i Serbisë është ta zvarrisë procesin pafundësisht. Kosova nuk është e gatshme të presë kaq gjatë. Përsa i përket Kosovës, 10 dhjetori është fundi i negociatave dhe shumë shpejt pas kësaj Kosova do të vendosë, së bashku me partnerët kryesorë në komunitetin ndërkombëtar për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren."

Negociatat për statusin kanë zgjatur për rreth dy vjet dhe deri tani nuk ka patur ndonjë përparim. Udhëheqësit serbë dhe shqiptarë do të takohen për një raund të fundit bisedimesh treditëshe javën e ardhëshme në Baden të Austrisë.
Shtuar më 21/11/2007, ora 15:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori