Te enjten thirret ezani ne qender te Shkupit
Albeu.com
Të enjten, në mënyrë simbolike, do të thirret ezani nga qendra e Shkupit, vendi ku dikur ka qenë Burmali Xhamia. Këshilli koordinativ për rindërtimin e Burmali Xhamisë, për të enjten, më 13 maj, ka paraparë një manifestim të madh në formë ...... proteste, i cili do të përfundojë me thirrjen e ezanit dhe një lutje (dua) e përgjithshme për ndërtimin e këtij objekti dhe për mirëqenien e përgjithshme. Ramadan Ramadani, përfaqësues i Këshillit koordinues thotë se manifestimi “Dëshmi për Buirmali Xhaminë” që do të organizohet të enjten do të jetë një ngjarje e madhe multietnike, multikulturore, por që ka komponentin e protestës. “Komponenti i protestës dhe mesazhi që ne dëshirojmë të përçojmë me prezencën e dashamirëve të Burmali xhamisë është që të ndahet toka për rindërtimin e saj me leje të zotit”, thotë Ramadani duke shtuar se ai është një manifestim konkret me një kërkesë konkrete dhe ajo është që të jepet toka. Ai sqaron se Këshilli koordinativ asnjëherë nuk ka dash që ta lidhë rindërtimin e Burmali xhamisë me projekte të tjera qoftë ai i Shkupi 2014”, qoftë marrëdhëniet ndërfetare apo ndëretnike por gjithnjë kemi kërkuar që Shkupit ti kthehet ky monument historik. “Mesazhi do të përçohet në tre gjuhë, shqip maqedonisht dhe turqisht, ndërsa pjesa e tjetër e manifestimit do të ketë këndim të ilahieve, më pas do të ketë një thirrje simbolike të ezanit dhe gjithë kjo është paraparë që të përfundojë me një lutje të përgjithshme për mirëqenien e kësaj popullate dhe plotësimin e aspiratave të saj”, thotë Ramadani.

Artistët që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Adem Ramadani, Mensut Kurtish, Burhan Shaban dhe grupi nga Kosova “Jericho” me këngën e tyre “Shkaba”..

Lutjen do ta këndojë një hoxhë plak, në mënyrë simbolike, pasi pleqve u pranohet lutja dhe është lutje e përgjithshme për ndërtimin e këtij objekti dhe për mirëqenien e përgjithshme. Ndërsa aktorët Visar Vishka dhe Selaudin Bilal do të lexojnë pjesë nga libra të ndryshëm ku është përmendur Shkupi i atëhershëm, nga librat e Ekrem Bej Vlorës dhe Jahja Qemal Beu. (lajm)
Shtuar më 11/05/2010, ora 11:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori