Të dehurit “pushtojnë” Komisariatin e Pogradecit, thyejnë pajisjet e zyrave
Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur ditën e sotme në Komisariatin e Pogradecit.

Dy persona të dehur kanë shkatërruar pajisjet në zyrat e Komisariatit.

33 dhe 27 vjec, autorët kanë përfunduar në komisariat pas një konflikti me persona të tjerë por kanë pasur përleshje me policinë edhe në komisariat.

Njoftimi i Policisë:

Ngjarja ka ndodhur orët e para të së dielës, kur S.C. dhe B.S., përkatësisht 33 dhe 27 vjeç, janë përfshirë në një konflikt fizik me disa persona të tjerë në lagjen 5 të Pogradecit. Banorët kanë njoftuar policinë, e cila arrestoi në flagrancë dy personat e sipërpërmendur.

Gjatë shoqërimit në komisariat, të ndaluarit kanë kundërshtuar dhunshëm efektivët e policisë. Sipas Policisë, pasi kanë mbërritur në rajon, dy të ndaluarit, të cilët kanë qenë të dehur, kanë thyer dhe dëmtuar pajisjet e zyrës ku po merreshin në pyetje.

“Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

S.Ç., 33 vjeç dhe B.S., 27 vjeç, të dy banues në Pogradec.

Pasi në datë 08.07.2018, rreth orës 02.00, në Sallën Operative Pogradec, ka ardhur një telefonatë se në lagjen nr 5 në Pogradec, po konfliktohen fizikisht disa persona.

Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur shërbimet e Policisë. Shtetasit e mësipërm në gjendje të dehur, ishin konfliktuar me disa qytetarë të tjerë të cilët më pas ishin larguar.

S.Ç., dhe B.S., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, si gjatë shoqërimit të tyre për në Komisariat, por edhe në ambientet e brendshme të tij, ku kanë dëmtuar pajisje edhe mjete.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’, kryer në bashkëpunim, ‘Shkatërrimi i pronës’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’ parashikuar nga nenet 236/2, 150 dhe 274 të Kodit Penal”, njoftoi Policia. /albeu.com/
Shtuar më 09/07/2018, ora 17:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori