Tavani i klasës bie mbi nxënësit
Albeu.com
Ishim në orën e fizikës kur ndodhi. Dëgjuam një zhurmë dhe pastaj të bërtiturat shokëve të klasës”. E. B, nxënës i klasës së shtatë në shkollën “7 Marsi”, është ende i tronditur kur tregon ngjarjen e frikshme. I shoqëruar nga e ëma ai thotë se ka frikë të kthehet në shkollë. Edhe e ëma është e frikësuar.“I rrisim me një mijë halle dhe të jetojmë me gjak të ngrirë se mund t’u ndodhë gjë në shkollë, jo, kjo është e tëpërt. Çfarë nuk na kanë dëgjojnë veshët. Edhe këtë kishim mangut”, thotë e ëma që gjithashtu është e terrorizuar nga ajo çka ka ndodhur në klasën e të birit.
Rreth orës 11.00 të paradites së djeshme, një pjesë e tavanit të sapo suvatuar në klasën e shtatë të shkollës “7 Marsi”, është shkëputur dhe ka rënë mbi kokat e nxënësve. 12 vjeçarja Klaudia Hasanllari është plagosur lehtë në kokë, ndërsa nxënësit e tjerë kanë mbetur të terrorizuar. 12 vjeçarja është dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak ku i është dhënë ndihma e parë. Mësuesja ka tentuar të nxjerrë nga klasa fëmijët dhe fatmirësisht nxënësit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Prokuroria nisi dje hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe ka marrë kampionet e suvasë së rrëzuar, për të parë nëse janë zbatuar ose jo kushtet teknike të ndërtimit.

Incidenti
“Ishim në mësim. Papritur më ra suvaja e tavanit mbi kokë. Mësuesja na nxorri jashtë. Aty pashë që isha gjakosur në kokë, në dorë dhe këmbë. Unë kam shumë frikë. Nuk do të rikthehem më në shkollë”-tregon Klaudia Hasanllari, nxënësja e plagosur. Vajza është dërguar urgjent në spital dhe pas ndihmës së parë është kthyer në shtëpi. “Isha duke pirë kafe, pasi atë orë kisha pushim. Më lajmëruan në telefon se vajza ishte vrarë. Takova rojen dhe më tha të njëjtan gjë. U traumatizova kur e pashë të gjakosur në kokë. Shkuam në spital dhe mjekët i qepën plagën. Më pas bëmë dhe grafinë, mjekët më thanë se çdo gjë është nën kontroll dhe shpresoj që Klaudia të bëhet tani më mirë”-shpjegon e ëma e vajzës, mësuese në të njëjtën shkollë ku ndodhi incidenti. Së bashku me 12 vjeçaren Hasanllari në spital janë dërguar edhe disa fëmijë të tjerë, të cilët nuk kanë pasur plagë, por kanë qenë të traumatizuan. Ndërkaq shumë prindër të indinjuar kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt për të dërguar fëmijët në shkollë, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, që mund të jenë një grackë vdekjeprurëse për fëmijët e tyre.

Punimet
Firma ndërtuese “2K Group”, e cila kishte fituar tenderin për rikonstruksionin e shkollës, nuk kishte përfunduar ende punimet në shkollë. Sipas afateve të përcaktuara në kontratë, ato duhet të kishin përfunduar në fund të muajit qershor. Fill pas incidentit punonjës të firmës ndërtuese janë shfaqur në mjediset e shkollës për të nisur punimet e papërfunduara, por ata janë penguar nga drejtuesit e shkollës, pasi klasa ishte izoluar për shkak të nisjes së hetimeve. Njoftohet zyrtarisht se po dje Ministria e Punëve Publike dhe Policia Gjyqësore kanë marrë kampionet e suvasë së rrezuar për t’u hetuar, nëse shkaqet kanë qenë teknike ose jo. Ministri Pollo ka deklaruar se do t’i kërkojë Bashkisë sqarime, duke qenë se kjo e fundit është investitor në këtë objekt.

Shkolla
Incidenti i djeshëm ka qenë një grackë për nxënësit. Fill pas incidentit ata kanë vrapuar të tmerruar nëpër korridore. Për të mos mjaftuar kjo, mungesa e energjisë elektrike, ka qenë një tjetër problem, që ka vështirësuar daljen nga godina.

Heshtja e “2 K”
Firma ndërtuese e kompanisë 2K Group me president Koço Kokëdhimën nuk ka dhënë asnjë sqarim mbi ngjarjen e djeshme në shkollën e Brrakës ku edhe ka kryer punimet. I kontaktuar në telefon drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Endri Puka nuk ka dhënë shpjegime për incidentin.
Olsi Kolami, GSH
Shtuar më 17/11/2005, ora 20:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori