Taulant Balla zbulon pse Rama vendosi shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë
Taulant Balla ka folur sërish mbi zgjedhjet e Kavajës të cilët u shtynë për shkak se kryeministri Rama kërkoi tërheqjen e kandidatit socialist në Kavajë.

Sipas Ballës, PS vendosi t’i shtyjë zgjedhjet për të mbrojtur 18 qershorin. Balla u shpreh se Partia Demokratike kishte organizuar një skenar për të dhunuar institucionet në Kavajë.

“Ma merr mendja që jeni disi të mërzitur për shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë sepse PD në Kavajë donte të bënte një skenar për të dhunuar institucionet.

Por për ne e rëndësishme është të mbrojmë 18 Qershorin dhe vendosëm t’i shtyjmë zgjedhjet në Kavajë për të mbrojtur 18 Qershorin. Dhe është qesharake se si një parti politike gëzohej se nuk ishin zhvilluar zgjedhjet lokale tek një bashki tek e cila kishin 2 vjet që kërkonin të ikë kryetari i bashkisë. Dhe tani që Kryeministri e shkarkoi kryetarin e bashkisë nuk shkojnë në zgjedhje për të prezantuar alternativën e tyre.

Por PD, partia e cila erdhi në pushtet para 26 vitesh për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, nuk ka një kandidat dhe një alternativë të denjë për Kavajën”,-tha deputeti socialist.
Sipas Ballës, skenari i Kavajës nuk do të përsëritet për zgjedhjet e 18 qershorit, për të cilat siguroi se do të mbahen. Ai e cilësoi PD-në si partia e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

“Për ne e rëndësishme është që njerëzit të marrin pjesë në votime dhe të shprehin dëshirën e tyre. Ne duam shumë që të votojnë për PS dhe për Edi Ramës sepse besojmë që një kryeministër më të mirë se Edi Rama Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë dhe për një pjesëmarrje masive në zgjedhje duhet të mobilizohemi të gjithë.

Tashmë 18 Qershori është i sigurtë, fletët e votimit kanë shkuar të printohen dhe komisionet e Vettingut do t’i votojmë në ditën e parë të seancës kur do të betohet qeveria e Edi Ramës. Do t’i votojmë që në seancën e parë në mënyrë që menjëherë të nisë pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar”, -tha Balla. /albeu.com/

Shtuar më 10/05/2017, ora 16:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori