Tatimorët 15 ditë kohë të deklarojnë zyrat e konsulencës, më pas nis investigimi
Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimin që shoqëron ligjin e proçedurave tatimore të miratuar pak javë më parë nga parlamenti. Në të përcaktohet se tatimorët kanë 15 ditë kohë të vetdeklarojnë zyrat e konsulencës.

Pas këtij afati do të nisë investigimi i hollësishëm. Udhëzimi i Financave përcakton gjithashtu që bizneset dhe konsumatorët të ikin pa paguar në rast se nuk u jepet kuponi ose fatura tatimore.

Tatimorët që kanë në pronësi zyra konsulence për biznes, ku përgatisin bilancet apo ofrojnë shërbime të tjera për ta kanë 15 ditë kohë që t’i vetdeklarojnë.

Në udhëzimin e nxjerrë nga Ministria e Financave, që shoqëron ligjin për proçedurat tatimore të miratuar pak javë më parë nga parlamenti, theksohet se pas këtij afati do të nisë investigimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

“Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Udhëzimi, punjonjësit e administratës tatimore duhet të bëjnë një deklarim me shkrim ku të vetdeklarojnë se janë në përputhje me nenin 26.4 e ligjit të proçedurave. Pas këtij afati, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të bëjë një investigim mbi statusin e punonjësve të administratës në respektim të nenit 26 të ligjit të proçedurave dhe në rast konstatimit, duhet të proçedojë me marrjen e masave përkatëse”.

Në udhëzim është përcaktuar gjithashtu, që bizneset të raportojnë në QKR në rast të ndërrimit të adresave të tyre dhe të përditësojnë të dhënat.

Në të kundërt, do të gjobiten me 500 mijë lekë. Udhëzimi përcakton që blerësit, qofshin këta subjekte private apo konsumatorë, të mos paguajnë në rast se nuk u jepet kuponi apo fatura tatimore në rastin e bizneseve.

“Në momentin që një tatimpagues kryen një blerje të një malli apo shërbimi tek një tatimpagues tjetër dhe ky i fundit nuk i lëshon faturën tatimore apo kuponin tatimor për të vërtetuar transaksionin, tatimpaguesi ka të drejtë të mos bëjë pagesën e vlerës së mallit apo shërbimit. E njëjta gjë zbatohet edhe në rastin kur blerës është një individ/ konsumator”.

Kjo çështje shkaktoi debate edhe në rradhët e mazhorancës në parlament gjatë miratimit të ligjit dhe që kaloi vetëm pas riformulimit të tij.
Shtuar më 26/10/2015, ora 20:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori