Task-Forca, plan operacional masash për ditën e zgjedhjeve
Ka mbetur vetëm një ditë nga zgjedhjet e 25 qershorit ndërkohë Task-Forca e ngritur pas marrëveshjes Rama-Basha është në gatishmëri për të zbatuar një plan operacional masash për zgjedhjet që parashikon shqyrtimin e ankesave të subjekte politike si dhe monitorimin e procesit zgjedhor.

Dje u zhvillua mbledhja e pestë e Task-Forcës (grupit ndërinstitucional) të ngritur me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”.

Task-Forca diskutoi sipas rendit të ditës dërguar anëtarëve të saj dhe pjesëmarrësve në të. Të pranishëm ishin si zakonisht përfaqësues nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët falënderohen për pjesëmarrjen dhe janë të mirëpritur në çdo mbledhje.

Si pikë e parë e Rendit të Ditës u diskutua plani i masave operacionale për mbarëvajtjen e procesit ditën e zgjedhjeve.

Anëtarëve të Task-Forcës ju ishte vënë në dispozicion paraprakisht plani në fjalë duke u ftuar të sillnin rekomandimet e tyre (nëse kishin).

Plani në fjalë përfshin një sërë masash dhe Task-Forca do të jetë grupi që do të monitorojë dhe koordinojë ankesa të ndryshme të referuara nga subjektet politike ditën e zgjedhjeve.

Plani për disa Ministri cakton masa të posaçme për t’u ndjekur ditën e zgjedhjeve. Pas diskutimeve plani u miratua dhe zbatimi i tij do të fillojë menjëherë.

Si pikë e dytë në funksion të transparencës u trajtua një ankesë e sjellë në adresë të Task-Forcës nga një subjekt politik dhe iu la detyrë Drejtori të Policisë për ndjekjen e mëtejshme të rastit dhe kryerjen e veprimeve të duhura procedurale. /albeu.com/

Shtuar më 24/06/2017, ora 09:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori