Task-Forca për ujin e pijshëm, ndërpriten 99 lidhje të paligjshme
Puna e kryer nga Task-Forca e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizimeve për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, por edhe menaxhimin e situatës në terren, ka sjellë një përmirësimin të situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet, si dhe ndërgjegjësim të qytetarëve për vendosjen e matësve të ujit.

Vetëm ditën e djeshme janë vendosur 211 matës të rinj, duke e çuar në total numrin e matësve të instaluar që nga ditët e para të nisjes së aksionit në 840. Gjithashtu, falë masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, të mërkurën janë lidhur 83 kontrata të reja, si dhe janë nënshkruar 45 aktmarrëveshje.

Grupet e shpërndara në terren vijuan punën për marrjen e masave për shkak të thatësirës së zgjatur dhe temperaturave të larta, duke verifikuar 1053 raste, ku në fokus të punës së tyre ishte pikërisht shkëputja e çdo lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe të çdo rasti tjetër të abuzimit me ujin e pijshëm.

Grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendruan në zonën e Yzberishtit, Babrrusë, Rr. “Dhimitër Kamarda”, Rr. “Ali Demi”, Rr. Kont Urani, Rr. Elbasanit, Rr. “Hoxha Tahsin”, zona e ish-Bllokut, Rr. M.Shyri, Liqeni i thatë, Rr. e Kosovarëve, zona e Qytetit Studenti, ish Parku i Autobusëve, si dhe në linjën e transmetimit DN 700 dhe DN 1000.

Gjatë kontrolleve janë identifikuar dhe shkëputur 99 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 11 gjoba për familjarë dhe 15 të tjera për biznese të ndryshme. Një pjesë e këtyre rasteve janë referuar në organet ligj zbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe eliminimit të abuzimeve me ujin e pijshëm nga subjektet private, ku janë marrë të gjitha masat për ndërprerjen e lidhjeve të ujit që përdorej nga lavazhet e makinave apo për ujitje.

Qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, 08004488 të UjësjellësitTiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.

Për zonat që janë prekur nga kufizimet me ujë të pijshëm, Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion gjithë flotën e saj me bote për furnizimin e banorëve. /albeu.com/
Shtuar më 06/07/2017, ora 15:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori