Tash probleme me malazezet
Albeu.com
Me lëvizjen e njëanshme të kufirit nga Mali i Zi, 500 familje nga 21 fshatra të kësaj ane, kanë mbetur pa tokat e tyre. Ata paralajmërojnë tensione. Autoritetet në Prishtinë nuk presin probleme me malazezët.
Me këtë lëvizje të kufirit nga ana e autoriteteve malazeze, më të prekurat janë pesë fshatra, të cilave mund t’iu mbetet përgjithmonë toka në anën tjetër të kufirit.

Banorët e fshatrave Radavc, Alba e Madhe dhe e Vogël (ish-Jabllanica e Madhe dhe e Vogël), Fierza (ish-Novosella) dhe Lipa nuk do të kenë më arsye as të jetojnë në ato pjesë, pa pronat që kanë.

Mulla Sadri Zeka është përfaqësues i këtyre pesë fshatrave. Ai rrëfen se me këtë zhvendosje të kufirit, në rast se shkohet në një diagonale, atëherë përveç tokave të këtyre pesë fshatrave, në anën malazeze do të mbesin edhe pronat e së paku dhjetë fshatrave të Deçanit.

“Edhe varret i kemi në ato toka, edhe varret e dëshmorëve të luftës së fundit i kemi atje. Me këtë lëvizje, gjithçka mbetet andej”, thotë Zeka për Express.

Me ardhjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, banorët tregojnë se ata janë vendosur në vendin ku është vendosur tabela me mbishkrimin ‘Mirë se vini në Mal të Zi’.
“Kjo zonë shpesh bllokohej nga bora dhe nuk e pastronte as Kosova dhe as Mali i Zi, sepse ishte shpallur si zonë neutrale”, thotë Rrahman Jashari, nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Marin Dreshaj”.

Ai tregon se mbishkrimi i autoriteteve malazeze është vendosur vetëm një kilometër larg doganës së Kosovës, ndërkohë që pika doganore e Malit të Zi, është gjashtë kilometra prapa tabelës.

Banorët janë ankuar dhe në vend të ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha së bashku me Ahmet Hasin, komandantin e Policisë së Pejës.

“Ata kanë pasur konflikt verbal me policët malazezë, të cilët nuk kanë pranuar as të dëgjojnë për këtë çështje, pasi kanë thënë se me këtë punë merren qeveritë e shteteve, e jo kryetarët e komunave apo policia”, thotë një burim i gazetës, i afërt me këtë takim.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se demarkacioni me Malin e Zi duhet të ndodhë së shpejti, pa e precizuar se kur pritet të ndodhë kjo.

“Qeveria e Kosovës do të formojë Grupin për demarkacion me Malin e Zi në momentin që dy shtetet merren vesh për këtë çështje”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, Kosova dhe Mali i Zi kanë raporte të mira dhe ka marrëveshje që në një të ardhme të afërt të vendosen marrëdhëniet ndërshtetërore dhe të fillohet me shënimin e vijës kufitare.

“Nuk presim probleme për shënimin e vijës kufitare me shtetin fqinj. Janë ekspertët e dy shteteve ata që në bazë të dokumentacionit dhe shënimeve do të përcaktojnë vijën kufitare. Ne nuk presim të ketë probleme”, ka sqaruar Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Kufijtë e vendit sigurohen nga trupat e KFOR-it, të cilët, sipas banorëve të kësaj ane, vetëm patrullojnë nganjëherë në këtë pjesë, por nuk ndalen.

Por zyrtarë të KFOR-it nuk pranojnë të japin ndonjë përgjigje në lidhje me këtë çështje. “Neve na nevojitet më shumë kohë që t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja”, thonë zyrtarët për informim të KFOR-it në Prishtinë.

Ndërkohë, për këtë lëvizje të kufirit, mbi 200 banorë të 21 fshatrave nga komuna e Pejës dhe Deçanit, në shenjë revolte kanë bllokuar të hënën në mesditë magjistralen që shpie në pikën kufitare në Kullë të Pejës.

Ky problem ka filluar vetëm dy ditë pasi Kosova ka arritur marrëveshjen me Maqedoninë në lidhje me përcaktimin e vijës kufitare. (Jeton Musliu, express)
Shtuar më 21/10/2009, ora 16:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori