Putin nënshkruan nesër aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës, “udhëheqësit” separatistë në Moskë

Një dekret për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës do të nënshkruhet nesër nga presidenti rus, Vladimir Putin ndërsa drejtuesit e katër rajoneve që janë nën kontrollin rus ndodhen në Moskë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve do të zhvillohet të premten në orën 15:00 me kohën e Moskës.

Sipas mediave të huaja, Putin do të mbajë një ceremoni nënshkrimi në Kremlin, të ndjekur nga një fjalim madhor dhe një takim me katër liderët separatistë. Marrëveshjet do të nënshkruhen “me të katër territoret që mbajtën referendume dhe i paraqitën kërkesat përkatëse palës ruse”.

Me nënshkrimin e dekretit, Putini kërkon të bëjë rreth 15 për qind të Ukrainës, shtëpinë e 4 milionë banorëve, ‘de facto’ pjesë e Rusisë. Tashmë, zyrtarë të emëruar nga Moska në rajonet e Donetskut, Ukrainës lindore, Zaporizhia dhe Kherson, në jug të Ukrainës, mbërritën në Moskë.

Procesi i aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës të kontrolluara nga Rusia është përshpejtuar ditët e fundit, pas mbajtjes së nxituar të referendumeve, të cilat u cilësuan si “mashtrim” nga Kievi dhe Perëndimi.