Tani po që ka filluar numërimi mbrapsht për opozitën!
Alfred Peza

Kur Sër Isak Njuton përdori shprehjen “ka filluar numërimi mbrapsht”, ai nuk mund ta dinte se ajo do të fitonte shumë qytetari edhe në Shqipërinë e sotme politike, aq sa konsiderohet edhe si “kërcënimi” më e i madh e kryesor, që opozita po i bën mazhorancës. Një “kërcënim” që synon ti bëjë përkrahësit dhe mbështetësit e PD dhe LSI që të besojnë se qeveria e PS dhe Kryeministri Edi Rama, i paska orët e numëruara në pushtet, sidomos tani që opozita ka dalë jashtë sistemit parlamentar të vendit.

Thuhet se “Babai i fizikës moderne” e formuloi “profecinë” e tij sipas së cilës fundi i botës do të vijë në vitin 2060, në një letër të shkruar më 1704, e cila u bë publike në një ekspozitë të Universitetit hebraik të Jeruzalemit, të titulluar “Sekretet e Njutonit”. Studiuesit e kësaj çështje thonë se shkenctari ka arritur në këtë përfundim, nisur nga leximi i librit të profetit Daniel, duke e lidhur këtë me 1200 vjetorin e datës së restaurimit të Perandorisë së Shenjtë Romake. Se çfarë lidhje kanë të gjitha këto, me fundin e botës së parashikuar nga numërimi mbapsht i Njutonit, ndoshta një pjesë e bashkëkohësve tanë aktualë, do ta vërtetojnë këtë pas 41 vjetësh.

Por, e sigurtë është që të gjithë qytetarët shqiptarë pa përjashtim, do të kenë fatin që brenda 2019, të vërtetojnë nëse “profecia” e udhëheqësve të opozitës sonë për “numërimin mbrapsht” të Edi Ramës, do të përmbushet apo jo! Megjithëse fundi i kësaj historie është i qartë që tani, sepse fati ynë i madh e do që frymëzimi i “shkenctarëve” tanë politikë, të vijë nga “shenjtorët” që i udhëheqin në rrugën e tyre pa rrugë e pa krye, i njohim prej 30 vjetësh të gjithë.

Nëse deri më sot është thënë nga zërat e opozitës se numërimi mbrapsht ka filluar për mazhorancën, PS dhe qeverinë e saj, le të mundohemi të ofrojmë disa argumente në ndihmë të atyre që mendojnë krejt të kundërtën në fakt. Pra, për të gjithë ata që mendojnë se vërtetë në gjithë këtë histori ka nisur një numërim mbrapsht, ai lidhet me opozitën në fakt.

Së pari, numërimin ia filloi vetes me koshiencë të plotë vetë lidershipi kryesor i opozitës, kur vendosi që të djegë të gjitha mandatet e përfaqësimit Parlamentar të fituara e gjithpranuara nga zgjedhjet e 2017. Një akt ky siç është thënë tashmë, i panjohur më parë në historinë e botës demokratike, duke dalë nga sistemi të cilin kërkojnë ta sigurojnë jo me zgjedhje por në tavolinë, për ta qeverisur nesër!

Së dyti, ky skenar nuk është gjë tjetër veçse një version i riiI “çadrës” së 2017, kur Edi Rama në marrëveshjen me Lulzim Bashën, i dha opozitës më shumë garanci se vetë Sali Berisha do ti jepte (siç ka deklaruar) nëse do ishte vetë Kryeministër. Me sa duket, dikush këtë akt kalorsiak në politikën shqiptare, ia ka marë për dobësi kryetarit të PS. Ndaj, e sigurtë është se askush nuk do ketë këtë radhë një mundësi të dytë, që të vijojë të ketë për të, një përshtypje të parë!

Së treti, e gjithë filozofia e qasjes së sotme opozitare, nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje në kushtet e reja, të metodave të një strategjie të vjetër sa herë që PS është në mazhorancë dhe në qeverisjen e vendit. E ashtu siç Fatos Nano thoshte se ai nuk ishte i pagabueshëm, por e sigurtë ishte se nuk do të bënte dy herë të njëjtin gabim, edhe Edi Rama nuk do të bëjë sot gabimet që PS mund të ketë bërë gjatë mazhorancës së qeverisjes së parë.

Së katërti, të hënën e kësaj jave, më 18 mars 2019 ishte afati i fundit për tri partitë më të mëdha politike në Shqipëri PS, PD dhe LSI për të dorëzuar pranë KQZ emrat e anëtarëve për Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) që do të ngrihen për zhvillimin e procesit elektoral të 30 qershorit për pushtetin vendor. Në përfundim të këtij afati, PS i ka dorëzuar listat e saj zyrtare, ndërkohë që dy partitë kryesore të opozitës PD dhe LSI bënë të qartë se nuk do të dorëzojnë emrat e tyre. Në gjithë territorin e vendit ka 90 KZAZ, ku në gjysëm e tyre shumicën e ka PS dhe në gjysmën tjetër, opozita. Në këtë rast ngërçin sipas ligjit e zgjidh KQZ, duke caktuar vetë komisionorë për këtë proces. Kjo do të thotë se numërimi mbrapsht për opozitën sapo ka filluar dhe koha në vijim, është e pamëshirshme përsa i përket ardhjes dhe djegies së afateve të tjera.

Së pesti, për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë post komuniste, bashkësia ndërkombëtare ka qenë në një zë që nga Uashingtoni në Bruskel, nga Berlini në Londër a gjetkë, në lidhje me leximin që i ka bërë kësaj situate. Për aleatët tanë strategjikë perendimore, Parlamenti aktual buron nga një proces i rregullt zgjedhor më 2017, qeveria e Kryeministrit Edi Rama është legjitime dhe zëvendësimi i vendeve të lëna bosh në Parlament, pas djegies së mandateve nga opozita, është i ligjshëm.

Në këto kushte, kuptohet që mazhoranca qeverisëse e vendit, nuk është e lumtur që opozita vijon të ndjekë pa u ndalur, rrugën e saj pa fund e pa krye. Por, ajo duket po kaq e vendosur për të vijuar të ushtrojë mandatin që shumica dërrmuese e shqiptarëve i ka besuar, për drejtimin e vendit. Pas kësaj pyetja që lind është: Për kë ka filluar “de facto” numërimi mbrapsht? E sigurtë është, se për PS dhe qeverinë e saj, JO!
Shtuar më 18/03/2019, ora 20:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori