Takohen Sejdiu-Merkel: Gjermania kurre nuk do ta pranoje ndarjen e Kosoves
Albeu.com
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel shprehu edhe një herë gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Këtë përkushtim ajo e bëri të qartë gjatë një takimi që zhvilloi sot me ...... presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani.

Presidenti Sejdiu është shoqëruar në takim nga ministrat Skender Hyseni, Ahmet Shala e Lutfi Zharku, si dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita, transmeton Departamenti i Informacionit dhe komunikimit me publikun i Presidencës së Kosovës.

Kancelarja Merkel theksoi se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. "Ne kurrë nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës", tha ajo.

"Çështja e statusit të Kosovës është e vendosur një herë e përgjithmonë dhe këtë ia kemi thënë edhe Serbisë", tha më tej kancelarja Merkel, duke shtuar se "Kosova është guri i fundit i një rendi të ri në Ballkan".

Kancelarja Merkel përkujtoi gjithashtu se Gjermania është aktive edhe në planin e sigurimit të njohjeve të reja të Republikës së Kosovës. Kemi interes të përbashkët që Kosova të zhvillohet, tha Merkel. Duke përkujtuar në këtë plan marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Gjermanisë, ajo shprehu edhe një herë përkushtimin e shtetit të saj për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe në fusha të tjera.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova i është gjithnjë falënderuese Gjermanisë për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë vendit tonë në vazhdimësi. Ai kërkoi nga kancelarja gjermane që të inkurajojnë investitorët gjermanë për të investuar në Kosovë, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, por edhe për të rritur më tej shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, që ka edhe më tej një shkallë të lartë të papunësisë. Ai theksoi se Kosova ka një potencial të madh të forcës së re dhe të kualifikuar profesionalisht dhe kërkoi njëkohësisht krijimin e mundësive për punësim sezonal të punëtorëve nga Kosova në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara perëndimore.

Sejdiu përkujtoi edhe një herë se nuk janë realizuar skenarët e kundërshtarëve të pavarësisë që shpreheshin se Kosova e pavarur do të jetë vend jostabil. Njohjet e reja, zhvillimi i institucioneve dhe periudha e kaluar më shumë se dy vjet nga shpallja e pavarësisë së vendit kanë dëshmuar krejtësisht të kundërtën e këtyre skenarëve.

Ai përkujtoi se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, e cila vazhdon me obstruksione dhe ende refuzon ta njohë realitetin e ri të krijuar me shtetin e Kosovës, si dhe nxit pjesëtarët e komunitetit serb që të mos e njohin këtë realitet, duke i financuar njëkohësisht edhe strukturat paralele në vend.
Shtuar më 06/05/2010, ora 22:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori