Takohen ne Prishtine dy ministrat shqiptare te kultures
Albeu.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovësa, z. Valton Beqiri, priti në Prishtinë ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, z. Ferdinand Xhaferaj, i cili po ...... qëndron këtu në kuadër të shënimit të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, ministri Beqiri e falënderoi Ministrin Xhaferaj për vizitën e tij në Kosovë në këtë ditë të veçantë festive, e cila, siç theksoi ai, i bashkon në një kremte të përbashkët jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe miqtë tanë të shumtë. Vizita Juaj, tha ai, është një rast i mirë për të rikonfirmuar bashkëpunimin e mëtutjeshëm në fushën e artit, të kulturës, të rinisë e të sportit, ashtu siç ka ndodhur edhe deri tash me një seri ngjarjesh dhe aktivitetesh të përbashkëta ndërmjet dy vendeve.

Ndërkaq, ministri Ferdinand Xhaferaj, pasi e falënderoi ministrin Valton Beqiri për pritjen e ngrohtë, tha se ai dhe bashkëpunëtorët e tij ndjehen në Kosovë si në shtëpinë e tyre, aq më tepër që këtë vizitë po e realizojnë në dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më tutje, ai tha se kjo vizitë i shërben, gjithashtu, thellimit të bashkëpunimit kulturor e sportiv ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe bashkërendimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, z. Ferdinand Xhaferaj, i dhuroi ministrit Valton Beqiri një gravurë të qytetit të lashtë të Durrësit. Ndërkaq, ministri Beqiri i dhuroi homologut të tij nga Shqipëria një kopje të eksponatit të “Hyjneshës në fron”, një CD me Himnin Shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe librin “Kosova antike”.

Më tutje, të dy ministrat morën pjesë në seancën solemne të shënimit të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kosovës dhe, më pas, në ndjeshjen miqësore ndërmjet reprezentacionit shtetëror futbollistik të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Shtuar më 17/02/2010, ora 19:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori