Takohen Basha-Arvizu-Lu, ja temat e nxehta që u diskutuan në selinë blu
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me zv/Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, Aleksander Arvizu, i cili shoqërohej nga Ambasadori Donald Lu.
PD-ja në një njoftim për mediat tha se droga, dekriminalizimi, korrupsioni dhe zgjedhjet ishin në qendër të këtij takimi.

Basha ndau me bashkëbiseduesit shqetësimin për rritjen, sipas tij, të kultivimit dhe trafikimit të drogës me shtrirje në të gjithë territorin e vendit. “Partnerët kanë bllokuar deri tani në kufijtë e tyre sasi rekord droge të ardhura nga Shqipëria.

Transporti i drogës po kryhet nga toka, ajri dhe detit”, tha Basha, duke sjellë në vëmendje trafikun me skafe dhe me avion.
Rasti i fundit, ku për t’i shërbyer trafikut të drogës ishte ndërtuar edhe një pistë ajrore, tregon se trafiku me avion është një mënyrë e preferuar nga trafikantët. Kjo shtrirje masive dhe në sasi e kultivimit të kanabisit, lehtësitë e kalimit të saj nga territori i Shqipërisë do të ishin të pamundura, tha Basha, pa bashkëpunimin dhe mbrojtjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve politikë të saj.

Rast flagrant është së fundmi dhe ndalimi me kokainë i vëllait të shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, ndërsa ai vetë është nën akuzë për mbrojtjen e parcelave me hashash në Dibër. Zgjedhjet në Dibër, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, janë shembull i impaktit të drogës në zgjedhje. Rreziku që sjell me vete droga është kriminalizimi i shoqërisë, ekonomisë dhe politikës.

Lideri i opozitës theksoi se kthimi i Shqipërisë në hambar droge është pasojë direkte e kriminalizimit të politikës dhe administratës. Edi Rama promovoi në poste kyçe në administratë dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili nuk po zbatohet. Siç u pa dhe në zgjedhjet e Dibrës, këta persona, sipas Bashës, po angazhohen në procese elektorale dhe po mbrohen nga kryeministri për t’i përdorur në zgjedhjet e 2017, duke sjellë disa shembuj si rasti i Elvis Roshit, Artur Bushit, Artur Bardhit, të cilët vazhdojnë të mbajnë postin e kryebashkiakut në thyerje të dispozitave të ligjit të dekriminalizimit apo Armando Prengës dhe Arben Ndokës.

Një tjetër shqetësim që Basha ndau me zyrtarët e lartë amerikanë ishte korrupsioni i paprecedentë, sipas tij, në 25 vite demokraci.

Basha tha se Dibra është shembulli i qartë se cili është rreziku që u vjen zgjedhjeve, nga droga, krimi dhe paratë e korrupsionit. Reforma, theksoi zoti Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme e konsideroi kryetari i Partisë Demokratike çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor, theksoi zoti Basha, ndaj është koha për një reagim të fuqishëm publik dhe politik kundër këtij rreziku të qartë dhe të madh ndaj investimit të përbashkët për Shqipërinë demokratike, stabile dhe euroatlantike./Albeu.com/
Shtuar më 27/09/2016, ora 19:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori