Takimi Topi-Papulias, Kosova e Maqedonia, pikat e ndarjes
Albeu.com
Presidenti shqiptar është zgjatur më tepër te çështja e Kosovës, për të cilën ai ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e palës shqiptare, se është për zgjidhje paqësore të statusit, që duhet të jetë pavarësia, pasi kjo paqe do të ndihmojë të gjithë vendet e Ballkanit.Me një ceremoni madhështore, presidenti Topi u prit në pallatin presidencial të Greqisë nga presidenti i vendit, Karolos Papulias, në vizitën e parë zyrtare të homologut shqiptar në këtë vend fqinj. Me ngjyresa të theksuara shqiptare, kostum të zi dhe kravatë të kuqe, Topi së bashku me Papulias kanë bërë kalimin ceremonial përpara gardës greke për t’u drejtuar më pas në takimin zyrtar të tyre. Fillimisht dy presidentët kanë zhvilluar një takim me stafin e tyre të ngushtë dhe më pas takimi është zgjeruar me delegacionet zyrtare të dy palëve. Pas përfundimit të takimit, Topi dhe Papulias u janë përgjigjur shkurt interesimit të medias, lidhur me temat e biseduara në këtë takim. Ajo që u vu re është se Papulias nuk foli asnjëherë për çështjen çame, ndërkohë që bëri të ditur që i kishte kërkuar Topit një qëndrim të palës shqiptare për çështjen qipriote, ai gjithashtu shmangu çdo deklaratë për çështjen e Kosovës, të cilën e kaloi si pjesë e bisedës, ashtu siç ishte dhe fakti se cilin pozicionim do të marrë Shqipëria në lidhjen me emrin e Maqedonisë. Topi nga ana e tij gjatë konferencës po ashtu ka shmangur problemin çam, nuk ka dhënë një qëndrim publik sa i takon emrit të Maqedonisë, apo çështjes së Qipros. Presidenti shqiptar është zgjatur më tepër te çështja e Kosovës, për të cilën ai ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e palës shqiptare, se është për zgjidhje paqësore të statusit, që duhet të jetë pavarësia, pasi kjo paqe do të ndihmojë të gjithë vendet e Ballkanit. Papulias u shpreh gjatë fjalës së tij në këtë konferencë se Greqia do të mbështesë Shqipërinë në proceset e integrimit në BE dhe NATO. “Greqia mbështet në mënyrë të qëndrueshme rrugëtimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë, sepse në këtë mënyrë fuqizohet edhe më tepër stabiliteti në rajon edhe më gjerë”, - tha dje Papulias. Ai ka komentuar si tepër pozitive marrëdhëniet ekonomike mes Greqisë dhe Shqipërisë, ky helenët zënë vend të parë për investime dhe vendin e dytë për shkëmbimet tregtare, pasi vendi i parë i takon Italisë. Nga ana e tij, Topi e konsideroi të frytshëm takimin me Papuliasin, kryesisht sa i takon çështjes së integrimit, për miqësinë mes popujve si dhe për çështjen e emigrantëve shqiptarë. “U konstatua dhe u pa e nevojshme që të rritet niveli i arsimimit të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e tyre amtare duke marrë si shembull pozitiv shkollën 112 në Athinë”, - u shpreh Topi. Ishte presidenti shqiptar që sqaroi përpara mediave të interesuara se Shqipëria vazhdon të jetë mbajë të njëjtin qëndrim për Kosovën, se pavarësia e saj do të ndihmojë në paqen në rajon. “Marrja e statusit të pavarësisë së Kosovës, do i shërbente rikthimit përfundimtar të paqes e sigurisë në rajon ku besoj dhe jam i bindur që edhe Kosova, edhe Shqipëria, por edhe Serbia, të ardhmen e tyre e kanë në familjen euroatlantike. Kështu që fitimi i statusit të pavarësisë do të ishte patjetër një kontribues i çmuar i paqes dhe i sigurisë”, - theksoi dje presidenti shqiptar. /G. Shqiptare/
Shtuar më 27/11/2007, ora 16:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori