ZYRTARE/ PSG fiton titullin, ja të gjitha verdiktet në Ligue One

Qeveria franceze vendosi të mos zhvillohej asnjë ndeshje futbolli deri në muajin gusht. Diçka e tillë solli pezullimin e kampionateve të këtij sezoni 10 javë përpara përfundimit. PSG shpallet skuadra kampione në Francë, pavarësisht anulimit të sezonit.

Liga Profesioniste vendosi t’ia jepte titullin skuadrës kryeqytetase , një veprim njësoj si ai që u mor në Belgjikë dhe ndryshe nga çfarë ndodhi në Holandë. Skuadra e trajnerit Thomas Tuchel, merr kështu frytet e një edicioni, të cilin e dominoi duke qenë 12 pikë përpara vendit të dytë, që mbahet nga Marseille, dhe kryeqytetasit e mbyllën me një golavarazh pozitiv prej 51 golash.

Me këtë vendim të Ligës, PSG arrin në kuotën e 9 titujve, duke u barazuar pikërisht me Marseille. Tani synohet arritja e St Ettiene. Një ndër klubet më të dashur në Francë, numëron 10 tituj kampionë. Sezoni i PSG nuk mbyllet këtu, pasi skuadra kryeqytetase do të vazhdojë të luajë në Champions, aty ku ka mbërritur në çerekfinale dhe shpreson të sigurojë finalen e madhe të Stambollit. Vendim u mor edhe për skuadrat e tjera.

Marseille dhe Rennes i bashkohen PSG-së në Champions League të sezonit të ardhshëm. Lille, Reims dhe Nice do të luajnë në Europa League. Dy skuadrat që do të zbresin nga kategoria janë Amiens dhe Toulouse, ndërsa kampionatit elitar të futbollit francez do t’i bashkohen Lens dhe Lorient.


Shtuar 30.04.2020 16:33