Takimi mes Xhafës dhe kreut të Antikorrupsionit në Itali, çështjet e rëndësishme që u diskutuan
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka pasur një takim ditën e sotme më Presidentin e Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit në Itali, Raffaele Cantone.

Zoti Xhafaj e njohu bashkëbiseduesin me dokumentin politik të Ministrisë së Brendshme, reformat e fundit që po ndërmerren në Policinë e Shtetit në kuadër të Vettingut në Polici dhe Policimit në Komunitet, ku veçoi asistencën e misionit europian PAMECA.

Ai e njohu me ecurinë dhe rezultatet e operacionit “Forca e Ligjit”. Ministri i Brendshëm u ndal gjithashtu tek prezantimi i nismës për Vetting-un në Polici, përmes së cilës synohet të shëndoshet organizata dhe promovohen punonjësit me integritet.

Kreu i Autoritetit Antikorrupsion në Itali theksoi rëndësinë e bashkërendimit të reformës në gjyqësor dhe reformimit të Policisë së Shtetit. Ai vlerësoi cilësinë e legjislacionit që po implementohet në Shqipëri dhe u shpreh i gatshëm për të rritur nivelin e bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme, sidomos për masat pas vënies në zbatim të procesit të Vetting-ut, për sigurimin e mekanizmave parandalues dhe garantimit të integritetit në të ardhmen të punonjësve të Policisë. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2018, ora 17:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori