Takimi i Potsdamit, Rusia vazhdon të jetë kundër Kosovës
Albeu.com
Në Potsdam të Gjermanisë kanë filluar bisedimet e shefave të diplomacive të shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë, në prag të samitit të G8-shes, që mbahet javën e ardhshme. Ky është rasti i fundit që, para samitit të G8-shes, javën e ardhshme, në Hajligendam, të shqyrtohet mundësia e miratimit të rezolutës në KS të OKB-së, me të cilën do të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës.
Sipas njoftimeve të agjencive, që thirren në burime brenda takimit, Rusia edhe në këtë takim ka hedhur poshtë propozimin e Kombeve te Bashkuara për Kosovën, përkundër kërkesës së ministrit të jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier që Kremlini të mos e pengojë përcaktimin e statusit të Kosoves.

"Fati i Serbise, fati i Kosovës nuk duhet të përcaktohet në Nju Jork ose ne Potsdam, por në negociata direkte midis dy palëve të përfshira", ka deklaruar ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke mohuar keshtu planin e Ahtisarit.

Ndryshe, Ministria e Jashtme në Berlin ka paralajmëruar se tema kryesore të takimit të shefave të diplomacive të Gjermanisë, Francës, Italisë, Japonisë, Kanadasë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Rusisë, do të jenë Irani, Kosova, Lindja e Afërt, Sudani-Darfuri dhe Afganistani.

Në Postdam janë ftuar edhe ministrat e jashtëm të Afganistanit dhe Pakistanit. G8 dëshiron ta mbështesë bashkëpunimin e këtyre dy shteteve, parasëgjithash në lëmin e sigurimit të kufijve, zgjidhjen e problemeve të refugjatëve dhe rindërtimin e rajonit.

Mediat gjermane, në prag të samitit, kanë theksuar se Perëndimi dëshiron që çështja e Kosovës të hiqet nga rendi i ditës deri te samiti në Hajligendam, në mënyrë që pjesëmarrësit në te të mund t’iu përkushtohen temave globale.

Një pjesë e shtypit gjerman dje ka transmetuar edhe shkrimet e gazetës zagrebase “Jutarnji List”, sipas të cilit Rusia, BE dhe SHBA janë marrë vesh rreth Kosovës. Sipas atij shkrimi, Rusia nuk do ta bllokojë rezolutën e re për Kosovën, po që se me te përcaktohet moratoriumi dyvjeçar i anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe nëse mundësohet prezenca ushtarake ruse në enklavat serbe.

Mediat po ashtu kanë spekuluar se SHBA-të do të mund ta mundësonin prezencën ushtarake ruse, në veri të lumit Ibër, në mënyrë që Rusia të pajtohej me planin e Martti Ahtisaarit për Kosovën.

Mirëpo, këto spekulime tashmë janë demantuar edhe nga ambasadori i Rusisë në KS të OKB-së, Vitalij Çurkin.

Ndërkohë, as Berlini zyrtar nuk i ka komentuar spekulimet e tilla. Gjermania, deri në fund të këtij viti kryeson me G8, ndërkaq deri me 1 korrik edhe me BE.
Shtuar më 30/05/2007, ora 18:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori