Takimi i Portugalisë pa rezultate, BE lëkundet midis SHBA-ve dhe Rusisë
Albeu.com
Në Viana Do Kostelo të Portugalisë dje ka përfunduar samiti dyditësh i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian. Vendet e Bashkimit Evropian janë zotuar se do të jenë të bashkuara sa i përket të ardhmes së Kosovës të cilën e përshkruajnë si një sprovë të kredibilitetit të politikës së jashtme te BE-së.Minstri i jaashtëm francez bernar Kushner ka deklaruar per mediat serbe se "BE është diku midis Rusisë dhe SHBA-ve dhe se tash për tash nuk propozon asgjë, por vetëm se dëgjon me vëmendje ".

Takimi joformal i ministrave të jashtëm të BE-së në Viana do Castelo të Portugalisë përfundoi pa një zgjidhje për Kosovën. Kryediplomati i Bashkimit Evropian Havier Solana (Javier Solana) tha, se qeveritë e BE-së i mbështesin përpjekjet e troikës për Koosvën. Por se çfarë do të ndodhë, në se palët nuk do të bien dakord deri më 10 dhjetor, kjo mbeti e hapur. Minsitri gjerman i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) bëri thirrje, që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për arritjen e një kompromisi paqësor, sado të vogla qofshin ato. Bernd Riegert informon

Shanset që Serbia dhe shqiptarët e Kosovës të gjejnë një zgjidhje të përbashkët deri më 10 dhjetor, konsiderohen të vogla. Të këtij mendimi ishin shumica e ministrave të jashtëm të BE-së. Qendrimi i Serbisë për një autonomi të zgjeruar është shumë larg nga ai i kosovarëve që kërkojnë pavarësi, konstaton ministri slloven i punëve të jashtme, Dimitri Rupel.

E megjithatë, përfaqësuesi i BE-së në treshen ndërmjetësuese, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger) është i mendimit se problemi ka zgjidhje: "Në se nuk do të kishte asnjë shans, atëherë nuk do ta kisha pranuar mandatin për të punuar me troikën", tha Ishinger, i cili më parë kishte informuar ministrat për gjendjen aktuale të negociatave. Por ai nuk ua tha ministrave se çfarë do të mund të përmbante kompromisi.

Në se këto negociata dështojnë, atëherë politika e jashtme e Bashkimit Evropian dhe Ballkani do të pësonin goditje të rëndë. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer, bëri thirrje që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për arritjen e një zgjidhjeje: “E tëra, përcaktimi i statusit në Ballkan, përbën risk për sigurinë e të gjithë rajonit. Prandaj nuk duhet të lëmë asgjë pa bërë për t'i nxitur palët që të afrohen drejt njëra-tjetrës", tha ai.

Shtajnmajer shpreson që brenda tremujorit të ardhshëm të dyja palët do ta shohin se vetëm së bashku ata do të kenë një perspektivë në Bashkimin Evropian. Se nga e merr ministri këtë shpresë? "Nga ajo, që as Serbia dhe as Kosova nuk do të kenë ndonjë të mirë, në se zgjidhja bëhet me konflikt. Prandaj edhe ne kemi besim tek arsyeja, të cilën e kanë të dyja palët", përgjigjet ai.

Ndërkaq Bashkimi Evropian nuk ka instrumenta për të ushtruar presion ndaj palëve. Deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se do të njohin pavarësinë e Kosovs mbas datës 10 dhjetor, janë të panevojshme, u ankua ministri i jashtëm i Luksemburgut, Zhan Aselborn (Jean Asselborn): “Deklarata të tilla është më mirë që të mos bëhen, sepse ato bëjnë efektin kundërt"

Troika pret tani që në fund të shtatorit, kur do të zhvillohen negociatat e para të drejtpërdrejta (për këtë raund) në Nju Jork, propozimet të vijnë nga shqiptarët dhe serbët. Sipas Ishingerit, trojka vetë nuk do të dalë me propozime.

Aselborn është i mendimit se nuk duhet humbur shpresa për kompromis: “Megjithëse probabiliteti është më i vogël se 10 përqind, ne duhet të vazhdojmë të besojmë, që troika mund të ndryshojë diçka. Dhe ka disa shenja, që flasin për këtë."

Në rast se në dhjetor Kosova shpall pavarësinë, atëherë nuk dihet se si do të reagojnë vendet e BE-së. Një pjesë e tyre ndoshta do ta njohin këtë hap, të tjerë mund ta rrefuzojnë. Ministri francez i punëve të jashtme, Bernar Kushner (Bernard Kouchner), tha se në këtë rast do të ketë përparësi uniteti brenda Evropës.

Bashkimi Evropian ka nevojë për Rusinë, jo vetëm në çështjen e Kosovës, por edhe për tema të tjera, si Irani, Lindja e Mesme dhe Korea e Veriut. Por raportet me Rusinë ndërkohë janë ftohur. Negociatat për një marrëveshje partneriteti kanë ngrirë dhe nuk do të shkrijnë as në samitin e ardhshëm BE-Rusi, më 26 tetor. Kjo u bë e qartë në takimin e ministrave të jashtëm në Viana do Castelo. Komisionierja e BE-së për marrëdhënie të jashtme, Benita Ferrero-Valdner (Benita Ferrero-Waldner) vuri në dukje, se Rusia dhe BE-ja nuk janë të varura nga njëra-tjetra vetëm në fushën energjetike: "Nga njëra anë, tregtia ndërmjet BE-së dhe Rusisë nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Ne jemi partneri më i madh tregtar i Rusisë. Nga ana tjetër, ne kemi gjithmonë e më shumë pyetje ndaj qendrimit të Rusisë në çështjen e demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut", tha Ferrero-Valdner.

Dialogu me Moskën duhet të vazhdohet me po atë sinqeritet si më parë dhe duhen evituar ftohjet e mëtejshme në interes të të dyja palëve, shtoi komisionerja.
Në Viana do Castelo u tha që duhet parandaluar çdolloj kryengritjeje, spastrimi etnik apo gjakderdhje e re në Ballkan. Se si do të arrihet kjo? Një pyetje, të cilës nuk iu përgjigj dot as ministri britanik Dejvid Milibend (David Miliband). "Atë urë do ta kalojmë, vetëm kur të kemi mbërritur deri aty", tha ai. RTK
Shtuar më 09/09/2007, ora 16:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori