Takimi dy orësh Kurti-Mustafa përfundon pa asnjë arritje
Është hera e katërt pas zgjedhjeve të 6 tetorit, që lideri i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa, takohen për të diskutuar rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje, por akoma nuk kanë arritur pajtueshmeri për të drejtuar qeverinë e re.

“Gazeta Blic” nga burime të sigurta brenda takimit Kurti-Mustafa, merr vesh se nuk është shënuar asnjë përparim në takimin e sontëm që përfundoj pas dy orësh negociata.

“As në këtë takim nuk ka pasur pajtueshmeri për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje. Kryetari Mustafa nuk ka hequr dorë nga kërkesa për ta përfshirë në marrëveshje edhe postin e Presidentit, andaj kjo ka bërë që të mos shënohet ndonjë përparim nga takimi i sotëm. Po ashtu Mustafa, ka kërkuar që Ministria e Punëve të Brendshme t’i takojë LDK-së. Si rezultati kësaj sitaute, takim tjetër do të zhvillohet nesër”, pohojnë burimet e njëjta që ishin pjesë e takimit.

Se do të ketë takim tjetër, konfirmuan edhe përfaqësuesit e dy partive që janë futur në negociata për bashkëqeverisje tash e dy muaj, Glauk Konjufca nga VV dhe Avdullah Hoti nga LDK.

Me të përfunduar takimi mes Kurtit e Mustafës, i nisur rreth orës 16:00, Konjufca e Hoti u shprehen optimist për arritjen e marrëveshjes duke paralajmëruar takime më të shpeshta.

Ndryshe, “Gazeta Blic” ka raportuar të mërkurën se pritet që Vetëvendosje të dorëzohet për postin e presidentit.
Shtuar më 13/12/2019, ora 20:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori