Takim sekret Berisha-Bollano
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim sekret në zyrën e tij me kreun e organizatës së minoritetit etnik grek, Vasil Bollano. Takimi është zhvilluar katër ditë më parë dhe në lidhje me të nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht për “Gazeta Shqiptare” nga OMONIA, ndërkohë që është pasqyruar gjerësisht edhe në agjencinë e saj të lajmeve në internet “North Epirus News Agency”.

Mes të tjerash, në të shkruhet se “takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore”. “Kreu i OMONIA-s, njëherësh kryetari i Bashkisë së Himarës, informoi kryeministrin Berisha me problemet që ballafaqohet minoriteti sikundër janë çështja e pronave, investimet, infrastruktura etj”, citojmë prej saj.

Gjithashtu bëhet e ditur se “kryeministri Berisha u njoh me shqetësimin e kreut të OMONIA-s për disa figura të Partisë Demokratike që ndezin debatet mbi Vorio-Epirin dhe sulmojnë lidershipin e OMONIA-s, veçanërisht pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit”.

Sipas të njëjtit burim citojmë se, “kryeministri Berisha i shprehu Bollanos vullnetin e tij për të hetuar mbi këto segmente, ndërkohë që i konfirmoi se ato nuk dirigjohen prej tij dhe se ai personalisht është kundër prirjeve revanshiste”.

Ironia therëse e këtij lajmi të përcjellë nga vetë OMONIA apo agjencia e saj e lajmeve që mban titullin e Vorio-Epirit, është se Bollano i ka kërkuar shefit të qeverisë të distancohet nga zërat që kërkojnë “çlirimin e Vorio-Epirit”. Në një kohë kur vetë Bollano ka qenë një nga figurat kryesore të OMONIA-s, që ka bërë thirrje për të ashtuquajturin “Vorio-Epiri”.

Nuk janë të pakta referencat e tij që e krahasojnë Himarën me Kosovën, duke kërkuar kësisoj autonominë e kësaj zone në Jug të Shqipërisë.

Takimi Berisha-Bollano është zhvilluar në një kohë kur opinioni publik shqiptar është përfshirë në debatin e marrëveshjes shqiptaro-greke për përcaktimit e kufirit detar. Nuk dihet nëse Berisha ne takimin me kreun e OMONIA-s, Bollano ka diskutuar apo jo marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. (g.shqiptare)
Shtuar më 29/10/2009, ora 19:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori