Takim katërpalësh i Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë në Selanik
Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë, Nikolla Dimitrov, Ditmir Bushati, Nikos Koxias dhe Ekaterina Zaharieva, sot dhe nesër do të jenë në Selanik për një takim katërpalësh, me iniciativë ministrit grek të Punëve të Jashtme, Nikos Koxias.

Temat kryesore që do të fliten kanë të bëjnë me bashkëpunimin në sferën e sigurisë, bashkëpunimi ndërkufitar, lidhjen energjetike, janë një pjesë e temave në të cilat do të përqendrohen.

Ky do të jetë takimi i dytë i një formati të tillë në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë greke për përforcim të stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit transkufitar midis vendeve fqinje nga pjesa jugore e Ballkanit.

Qëllimi i takimit diplomatik është që të konfirmohet bashkëpunimi institucional midis katër vendeve, të cilat duhet të zgjidhin çështje të sigurisë dhe të luftojnë kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizimit. Njëkohësisht, këto vende u ballafaquan edhe me krizë të madhe të refugjatëve dhe emigrantëve, pasojat e së cilës i ndjejnë akoma.

Për këtë arsye, ministrat e Punëve të Jashtme do t’i shqyrtojnë mundësitë për përgatitjen e pozitës së përbashkët gjatë zgjidhjes së këtyre çështjeve në bazë të vlerave evropiane dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Në delegacionet janë përfshirë edhe ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Energjetikës, gjegjësisht Ekonomisë së katër vendeve.

Dimitrov paraprakisht këtë javë deklaroi se nuk pret që vendet e rajonit, më saktësisht Shqipëria dhe Bullgaria, do të jenë ndërmjetësues në zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë. Ai theksoi se kontesti është çështje bilaterale dhe se do të vendoset midis dy vendeve me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht ndërmjetësi i tyre Metju Nimic.

Ai theksoi se pret që në margjinat e takimit kuadrilateral të ketë edhe takim bilateral me Koxiasin.

Në bazë të axhendës ministrat sot do të kenë edhe darkë pune. /albeu.com/

Shtuar më 04/10/2017, ora 09:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori