Tahiri: Situata kriminale, emergjencë kombëtare
Në ditën e parë të punës, Ministri i Brendshem, Saimir Tahiri ka kërkuar më shumë punë nga kreret e Policisë së Shtetit. Gjatë një takimi me ta, Tahiri u shpreh se sot është koha për të ngritur në këmbë policine e shtetit dhe per te garantuar jeten e qytetareve.


“Tranzicioni i pushtetit mbaroi dhe bashkë me të ka mbaruar dhe hutimi kolektiv për të bërë punën. Dhuna po shkund themelet e shoqërisë dhe armët po flasin më shumë se fjalët. Përgjegjësia duhet gjetur tek vullneti politik por po njëlloj përgjegjësie është brenda kësaj salle dhe brenda rradhëve të Policisë së Shtetit. Megjithatë kjo nuk është koha për përgjegjësitë dhe unë jam këtu që të ngremë në këmbë policinë për të vendosur sigurinë” tha Tahiri.


Ai garantoi mbështetje pa kursim për drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit ndërsa theksoi se nuk do të ekzistojnë më të paprekshmit. Sipas tij, një gjë e tillë nuk do të tolerohet e nuk do të funksionojë pasi ligji është një për të gjithë.


“Ne do mbështesim të gjithë drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit si dhe të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasiguritë. Askush prej punonjësve prej përmbushjes së detyrës nuk do të pengohet të bëjë detyrën në shërbim të ligjit. Që sot do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, askush nuk ka imunitet nga ligji. Policia e Shtetit nuk ka asnjë imunitet tjetër përveç ligjit” tha Tahiri.


Ministri i Brendshëm ka deklaruar se puna me dy standarde e policisë nuk do të tolerohet më, duke kërkuar korrektesë nga punonjësit e policisë rrugore. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2013, ora 14:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori