Tahiri: Nuk kemi asnjë plan të tërhiqemi në luftën anti-kanabis
Ministri Saimir Tahiri, ka paralajmëruar nisjen e një operacioni të gjerë anti-kanabis në të gjithë vendin. Kjo gjë sipas ministrit të Brendshëm do të bëhet që “të mos ngelë më asnjë rrënjë kanabis e mbjellë në Shqipëri, as mbi e as nën tokë”.

Gjatë ceremonisë me 500 studentë të sapodiplomuar, Tahiri u kërkoi atyre "të mos dekurajohen nga sulmet ndaj policisë". "Merita, profesionalizmi dhe aftësia nuk do t’ju lënë ndonjëherë vetëm. Rruga është e vështirë, sepse krimi ka më shumë para se policia, ka më shumë mundësi të blejë miq në politikë, por nuk ka mundësinë të blejë ligjin. Ju jeni këtu të garantoni ligjin", u shpreh ai.

Tahiri premtoi se mbështetja e Qeverisë për Policinë e Shtetit do të vijojë me investime në infrastrukturë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, ndaj “2015 do të konsiderohet si viti i reformimit teknologjik të policisë”.

“Byroja Federale e Hetimeve në SHBA ka nisur punën për të ngritur Byronë Kombëtar të Hetimit, me rekrutimin e oficerëve të Policisë së Shtetit. Do të jetë viti i dytë që Shqipëria nuk do të jetë më vend origjine i trafikimit të lëndëve narkotike. Do të shkulim çdo rrënjë kanabisi në çdo cep të Shqipërisë”, shtoi Tahiri. “Nuk kemi asnjë plan të tërhiqemi në këtë luftë”, theksoi ministri. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2015, ora 16:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori