Tahiri ngre padi për shpifje kundër Palokës
Ministri Tahiri ka ngritur padi për shpifje kundër Palokës. Pas akuzave që kryetari i grupit parlamentar i PD, Edi Paloka, bëri ndaj ministrit të Brëndshëm, duke thënë se ai është i lidhur me krimin e organizuar, Tahiri ka kërkuar nga institucioni që drejton, ngritjen e padisë penale dhe civile ndaj deputetit.

"Ministri Tahiri, padi për shpifje për Kryetarin e grupit parlamentar të PD.

Ministri Saimir Tahiri, i kërkoi zyrës juridike formulimin e padisë penale dhe civile për Kryetarin e Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, lidhur me derdhjen në publik të një sasie shpifjesh të pazakonshme edhe për një shpifës profesionist si Edi Paloka.

Edi Palokën e njeh mirë çdo qytetar, që ndjek jetën politike shqiptare dhe s'ka dyshim se jo vetëm mes qytetarëve pa dallime partiake, po edhe mes vetë kolegëve të tij partiake, ka konsensus të plotë për faktin se ky individ jeton me profesionin e shpifësit.

Por ka ardhur koha që Edi Paloka të provojë të kundërtën, duke i rrëfyer përpara një trupi gjykues faktet që ai disponon për dalldisjet e tij publike.

Ashtu sikundër ka ardhur koha, që shpifje të cilat njollosin personalitetin, dinjitetin dhe punën e të tjerëve për shkak të detyrës të ndëshkohen sipas ligjit.

Ministri Tahiri është i gatshëm që në rastin e paraqitjes së një prove të vetme nga Edi Paloka, lidhur me akuzat e ngritura sot, të përballet me të vërtetën në të gjitha mënyrat, për përgjegjësinë që mban në detyrë por edhe para ligjit e drejtësisë po ashtu.

Në të kundërt, drejtësia duhet ta ndihmojë Edi Palokën të mësojë se koha e pandëshkueshmërisë për zanatin e tij të ulët, ka mbaruar", përfundon reagimi. /albeu.com/
Shtuar më 23/01/2015, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori