Tahiri: Lëreni policinë të bëj punën, boll me politikën e krimit
Pas qëndrimit të shprehur haptazi nga kryeministri Rama në lidhje me krimin në vend dhe reagimin e shtetit, një tjetër mesazh pason nga Saimir Tahiri.

Ministri i Brendshëm ka shprehur qëndrimin e tij, pas akuzave të Partisë Demokratike, e njëkohësisht duke i mëshuar faktit që ti jepet fund politikës së krimit.

"Policia e Shtetit është në krye të detyrës, në luftë kundër paligjshmërisë dhe krimit.

Për këtë flasin qartë puna dhe rezultatet, besimi i partnerëve, por mbi të gjitha besimi i qytetarëve.

Koha e kriminelëve të paprekshëm që mbroheshin nga pushteti, ka mbaruar një herë e mirë. Akuzat absurde që lëshon sot PD, i ka pasur praktikë të vetën atëherë, ndaj mendojnë se historia e tyre përsëritet edhe tani.

E shkatërruan, politizuan dhe kriminalizuan Policinë e Shtetit, e tani mendojnë se vazhdon njëlloj siç bënin vetë. Janë mësuar të mbajnë anën e krimit, jo të shtetit, e as të ligjit.

Kështu i quanin "banditë" punonjësit e policisë që luftonin në Lazarat, dhe të "dhunuar të pafajshëm" kriminelët që qëllonin me armë ndaj policisë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe sot, duke mbajtur anën e krimit, jo të shtetit, e të ligjit.

E lanë policinë të shkatërruar e kriminalizuar dhe tani u ka ngelur të bëjnë vetëm politikën e kukuvajkës me shpifje të padëgjuara.

Shpifje që tregojnë më shumë praktikat e tyre kriminale në pushtet, por jo të vërtetën e sotme të luftës pa kompromis kundër krimit dhe kriminelëve.

Lëreni policinë rehat të bëj punën, lëreni të luftoj paligjshmërinë dhe kriminalitetin. Boll me politikën e krimit". /albeu.com/
Shtuar më 07/01/2015, ora 16:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori