Tahiri: Integrimi, prioritet për Shqipërinë
Integrimi europian i Shqipërisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, çështjet e azilkërkuesve kanë qenë disa nga temat kryesore të takimit që ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka zhvilluar me homologun e tij francez, Manuel Valls.

Rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit gjatë dy muajve të fundit, Tahiri i ka konsideruar si një shenjë të qartë të vullnetit të qeverisë për të luftuar pa asnjë kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha trafiqet e paligjshme. Ai ka shprehur gadishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me policinë franceze. Ministri Valls mbështeti procesin e reformave të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në kuadër të Integrimit Evropian si dhe ka siguruar gadishmërinë e plotë të qeverisë së tij për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fusha me interes të dyanshëm, si lufta kundër trafiqeve të drogës, qenieve njerëzore, apo edhe për frenimin e azilkërkuesve që vijnë në Francë nga Shqipëria.

“Ne e duam Shqipërinë në familjen Evropiane, ndaj jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë. Qeveria franceze është e kënaqur dhe po e ndjek me vëmendje punën e Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë shqiptare. Ashtu si Komisioni Evropian, edhe ne kemi shënuar rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë që mbetet ende për të bërë, veçanërisht për çështjen e shtetasve azilkërkues. Marrëveshja e ripranimit që kemi nënshkruar mes dy vendeve po funksionon shumë mirë”,- u shpreh ministri francez.

Tahiri dhe Vals ranë dakort për nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe për luftën e përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe abuzimit me regjimin e azilit. Nga ana e tij ministri Tahiri ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan integral për të frenuar azilkërkuesit, duke përcaktuar detyra konkrete për strukturat e policisë, por edhe masa më të ashpra për punonjësit e policisë që janë të lidhur me këtë fenomen, apo me trafikun e qenieve njerëzore.

Gjithashtu, ministri Vals u shpreh i gatshëm për të ndihmuar forcimin e kapaciteteve profesionale të policisë shqiptare nëpërmjet krijimit të mundësive për oficerët shqiptarë të cilët mund të studiojnë në akademinë e policisë franceze. Ministri shqiptar nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e përgatitjes së pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat po realizohen nga një kompani franceze. /albeu.com/

Gjatë vizitës së tij në Francë ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të të huajve në Ministrinë e Brendshme franceze, Luc Derepas me të cilin ka ndarë më në detaje informacione lidhur me planin integral lidhur me trajtimin e çështjes së azilkërkuesve në të dyja vendet. Nga ana e tij, z.Derepas është shprehur shumë i kënaqur për seriozitetin me të cilin po e trajton Ministria e Brendshme shqiptare këtë problem.
Shtuar më 19/11/2013, ora 15:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori