Tahiri: Do të reformohet zinxhiri i mbrojtjes civile
Ministri Tahiri është shprehur sot se do të reformohet zinxhiri i mbrojtjes civile dhe se brënda vitit, do të ketë një ligj të ri. Tahiri deklaroi se zinxhiri i mbrojtjes civile në vend duhet të reformohet tërësisht, si në pushtetin qendror edhe atë lokal, për te krijuar kapacitetet njerëzore me profesionistë, për t’u përballur me situata emergjence. Ky është mesazhi i Ministrit të Brendshëm në konferencën që çeli stërvitja e përbashkët “Joy Reaction”, që përfshin vendet e Ballkanit Juglindor.

Në fokus janë masat në raste të emergjencave civile, e kryesisht tërmetet. “Ndonëse kemi bërë përparime të dukshme në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ndihet nevoja për zhvillime më të mëdha, si në aspektin normativ, ashtu edhe në aspektin strukturor, teknologjik dhe infrastrukturë, qofshin këto publike apo private.

Fatkeqësisht, qytetarët janë tërësisht të pamësuar me skenaret e përballimit të emergjencave. Por qeveria, pushteti vendor, institucionet, nuk i'a dalin dot vetëm. Kjo nuk ndodh kurrë. Ashtu siç institucionet, sado të konsoliduara dhe me buxhet të konsiderueshëm të jenë, përsëri nuk mund të përballojnë dot këto fatkeqësi, në qoftëse nuk ndërtojmë masa parandaluese, edukative për qytetarin dhe shoqërinë, por edhe infrastrukturore, që synojnë të ndërtojnë sigurinë tonë të përbashkët me përpjekje të përditshme", deklaroi ai.

Tahiri shtoi së këtë vit do të përfundojë strategjia kombëtare dhe Ligji i ri për “Mbrojtjen Civile”. "Të krijojmë një platformë solide bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen ndërmjet nesh, për shkëmbimin e informacionit dhe dhënien e ndihmës reciproke, atëherë kur një prej vendeve tona preket nga fatkeqësitë natyrore apo të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut”, shtoi ministri Tahiri. /albeu.com/
Shtuar më 26/01/2015, ora 11:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori