Tahiri: 2014 viti i Policisë së Shtetit
Në një dalje për mediat për analizën vjetore, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, e cilësoi vitin 2014 si vitin e Policisë së Shtetit, ndërsa nënvizoi se nuk ka më shitje informacionesh për kriminelët.

“Viti 2014 është viti i Policisë së Shtetit në detyrë, në luftë kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit. Janë 48 mijë konflikte mes qytetarëve kur ka ndërhyrë policia, duke shënuar një rritje me 13.4%, që do të thotë se policia është më afër qytetarëve qysh në fazën paraprake të konfliktit.

Është shtuar kapaciteti parandalues, që ngjarjet të mos kthehen në kriminale. Gjatë 2014, vrasjet janë ulur në masën 21%”. Më tej, ministri u shpreh se si rezultat i luftës kundër kriminalitetit, sekuestrimi i aseteve kriminale është një tjetër aspekt që po luftohet ndaj botës së krimit.

Në vitin 2014, janë sekuestruar asete krimninale në vlerën 19 milionë euro, për të cilën tha se është një shifër tejet e madhe, por ende larg pasurisë që ka bota e krimit.

Sipas tij, kjo shifër është gati 21% e gjithë buxhetit që kishte në dispozicion në një vit Policia e Shtetit. Tahiri informoi se janë sekuestruar 1261 armë zjarri. “Janë kapur 90% më shumë lëndë eksplozive dhe 86% më shumë granata luftarake. Kjo tregon edhe njëherë përmasat e përhapjes në mënyrë të paligjshme të asaj që duhet të ishte më e sigurta në këtë vend, që është përdorimi i tyre si për qëllime fitimi edhe diapazoni kriminal për përdorimin e lëndëve eksplozive.

Kemi trashëguar një gjendje skandaloze sa i takon luftës kundër lëndëve eksplozive, por shifrat flasin vetë për dimensionin që ka bërë Policia e Shtetit kundër këtij fenomeni. Gjatë vitit 2014, janë kapur 19% persona në kërkim më shumë. Kjo tregon bashkëpunim intensiv të Policisë së Shtetit me agjensitë ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit, gjë që ka parandaluar shitjen e informacioneve siç ka ndodhur deri dje”, tha ndër të tjera Tahiri. /albeu.com/


Shtuar më 05/01/2015, ora 13:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori