"Mos gjuaj, por duaj", nis fushata kundër posedimit të armëve
Në një fushatë sensibilizuese kundër armëve, ministri Tahiri ka përcjellë disa mesazhe.

Teksa ka apeluar që të dorëzohen armët e paligjshme, ai është ndalur në shifra konkrete, raporton Portali "Albeu".

Ai bëri me dije se 10 mijë qytetarë janë plagosur apo vrarë nga armët e '97.

Ndër të tjera, ministri Tahiri apeloi që të nisin një fushatë për mbledhjen e armëve pa leje, pasi armët e paligjshme janë një problem për shoqërinë.

"Duhet të dorëzohen armët e paligjshme. Armët e paligjshme kanë marrë jetën e shumë personave", tha ai.

Fushata “Mos gjuaj por duaj – Ndal përdorimit të jashtëligjshëm të armëve të zjarrit përpara se të jetë tepër vonë” synon të rrisë ndërgjegjësimin sa i përket rrezikut të mbajtjes dhe përdorimit të jashtëligjshëm të armëve të zjarrit.

Fushata do të zhvillohet nga data 15 nëntor deri në mes të muajit dhjetor 2016, me financim nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga Ministria e Punwve tw Brendshme e Shqipërisë në partneritet me PNUD SEESAC (Zyra Qendrore e Evropës Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta).

Sondazhi i opinionit publik i kryer së fundmi nga agjencia lider në botë e sondazheve "IPSOS", tregoi se mbi 60% e qytetarëve shqiptarë janë kundër posedimit të armëve të zjarrit pavarësisht rrethanave, ndërkohë që 78% e tyre besojnë se Policia e Shtetit është kontribuesi kryesor për sigurinë në vend.

Qëllimi kryesor i fushatës "Mos gjuaj por duaj" është të rrisë sigurinë publike përmes rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi rreziqet e mbajtjes dhe perdorimit të jashtëligjshëm të armëve të zjarrit.

Vëmendje e veçantë i kushtohet rritjes së ndërgjegjësimit mbi keqpërdorimin e armëve të zjarrit në kontekstin e dhunës në familje.

Fushata do t’i drejtohet si publikut, ashtu edhe institucioneve të zbatimit të ligjit.

Gjatë fushatës do përdoren fletëpalosje, postera, tabela ndriçuese, spote radiofonike, spote televizive dhe mediat sociale.

Materialet e printuara do të afishohen në të gjithë vendin dhe do të shpërndahen në ambiente tregtare, ndërtesa qeveritare dhe vende të tjera publike (tregje, stacione autobusësh).

Kjo fushatë ndërgjegjësimi ka një domethënie të veçantë duke qenë se mbajtja e jashtëligjshme e armëve të zjarrit dhe keqpërdorimi i tyre në përgjithësi kërkon një përkushtim afatgjatë dhe një reagim të fortë e të sinkronizuar social dhe institucional.
Organizata e Kombeve të Bashkuara është e përkushtuar të mbështesë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të luftuar kërcënimin që vjen nga armët e zjarrit./albeu.com/




Shtuar më 15/11/2016, ora 11:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori