Tadic te perulet para viktimave te luftes ne Kosove
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se dërgimi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri paraqet nxitje të luftës.Përkundrazi ai ka vlerësuar se pala kosovare ka qasje paqësore, dhe se është e përkushtuar për kthimin e ligjshmërisë në tërë territorin e vendit, në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe parimeve të planit të Ahtisaarit.
"Ne jemi përcaktuar për angazhime paqësore, por natyrisht se do të vazhdojmë respektimin e plotë të Kushtetuetës së Republikës së Kosovës, ligjet e Republikës së Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisari për procesin integrues në kuptimin qytetar gjithëetnik por edhe fizik të territorit të Republikës së Kosovës", ka thënë Thaçi, duke komentuar deklaratën e presidentit serb Tadiq. Shefi i ekzekutivit ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran njëherë e përgjithmonë dhe se integriteti territorial i i saj është i paprekshëm dhe i pacenueshëm.
Madje ai ka kërkuar edhe njëherë nga presidenti serb që t'i kërkoj falje qytetarëve kosovarë.
"Presidenti Tadiq ashtu siç u përul dje në Srebrenicë do të duhej përulur edhe në Kosovë për t’i kërkuar falje qyetarëve të Kosovës për gjenocidin e shtetit të Serbisë", është shprehur Thaçi në Prizren.
Kryeministri Hashim Thaçi ripërsëriti sot edhe një herë qasjen e Kosovës për politikë të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë. Në këtë rrafsh, Thaçi tha se Prishtina nuk kundërshton takimet për të biseduar për çështje teknike me Serbinë që kërkojnë zgjidhje. Gjithashtu kryeministri Thaçi e ka vazhduar porosinë e tij për presidentin serb Boris Tadiq që t’i arrestojë kriminelët e luftës, siç është Mlladiqi, duke i thënë se me Mlladiqin të lirë, Serbia nuk mund të ketë perspektivë euroatlantike. Ndryshe, ai ka përjashtoi kategorikisht mundësinë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Kryeministri Thaçi tha se pret një etapë të re të zhvillimit të Kosovës pas opinionit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që pritet të publikohet këtë muaj.
Ne po ndërtojmë shtet demokratik multietnik, të mbështetur fuqimisht nga e gjithë bota demokratike, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Reagimi i tij vjen disa ditë pasi presidenti i Serbisë Boris Tadiq, e kishte vlerësuar si kërcënim të hapur për luftë deklaratën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili pat pohuar se Prishtina do të dërgonte njësitë speciale të policisë në veri të Kosovës me qëllim të vënies së paqes dhe se për këtë ka ujdi me EULEX-in. Tadiq pat thënë se “institucionet e përkohshme të Kosovës do të jenë përgjegjëset e vetme për pasojat katastrofale që do t’i sillte realizimi eventual i këtyre kërcënimeve”. Kreu i shtetit serb, i pat cilësuar deklaratat e tilla si “luftënxitëse” që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e brishtë në veri të Kosovës dhe pat kërkuar nga EULEX-i që t'a mohoj deklaratën e Rexhepit. Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, përmes një komunikate pat sqaruar se “nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në këtë zonë dhe se EULEX-i vazhdon të punojë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një Njësiti Special Policor shumë etnik”. (koha)
Shtuar më 12/07/2010, ora 19:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori