“E detyroi” Britania e Madhe, jep dorëheqjen CEO i kompanisë së dytë më të madhe të naftës në Rusië

Vagit Alekperov, një nga njerëzit më të pasur të Rusisë ka dhënë dorëheqjen si CEO i Lukoil, kompania e dytë më e madhe e naftës në vend.

Në një deklaratë të shkurtër, Lukoil tha sot se Vagit Alekperov kishte informuar kompaninë për vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen si drejtor dhe president i kompanisë, ndërsa arsyeja e një vendimi të tillë nuk është bërë e ditur.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi ndaj tij janë marrë sanksione nga Mbretëria e Bashkuar dhe shtatë javë pasi Lukoil prishi marrëdhëniet me Presidentin Vladimir Putin dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, raportoi CNN.

Në një deklaratë për aksionerët, stafin dhe klientët më 3 mars, bordi i drejtorëve të Lukoil tha se po bën thirrje për përfundimin sa më të shpejtë të konfliktit të armatosur.

 

 

“Ne shprehim ndjeshmërinë tonë të sinqertë për të gjitha viktimat, të cilat janë prekur nga kjo tragjedi. Ne mbështesim fuqimisht një armëpushim të qëndrueshëm dhe një zgjidhje të problemeve përmes negociatave serioze dhe diplomacisë”, shtoi bordi.

Lukoil prodhon më shumë se 2% të naftës së papërpunuar në botë dhe punëson mbi 100,000 njerëz./albeu.com