Tabaku: 50 mijë qytetarë do të kenë së shpejti në dorë hipotekat
Rreth 50 mijë qytetarë pritet të kenë së shpejti hipotekat e apartamenteve të tyre në kryeqytet. Zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku tha se kjo listë është një hap më tej drejt hipotekimit të objekteve të mbetura peng prej vitesh në Tiranë.

“Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës do i propozojë Këshillit Bashkiak miratimin e listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi, sipas aktit normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, më datë 6 shkurt. Miratimi i kësaj liste nga Këshilli Bashkiak i hap rrugën hipotekimit të 260 objekteve mbi 3 kate, me një sipërfaqe totale rreth 930 000 m2 dhe rreth 11 000 apartamente. Miratimi i kësaj liste me rreth 11 mijë apartamente i shtohet 5893 apartamenteve, që Bashkia e Tiranës ka dërguar për hipotekim gjatë vitit të shkuar, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Ashtu siç ka premtuar Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, Bashkia po vazhdon me intensitet plotësimin e detyrimeve të saj, për hipotekimin e objekteve të cilat po mbahen peng prej vitesh.

Në muajin janar i janë dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive edhe 12 objekte, me 520 apartamente banimi. Dua dhe një herë t’u bëj thirrje 13 subjekteve në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, të plotësojnë detyrimet e tyre përballë qytetarëve të Tiranës, në mënyrë që t’i hapin rrugë hipotekimit të apartamenteve të tyre” – u shpreh znj. Tabaku.

Administrata e re e Bashkisë së Tiranës ka dëshmuar gjatë 18 muajve me vepra dhe jo me fjalë, se Bashkia mund të bëjë shumëçka kur ka vullnet në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku Lulzim Basha propozon sërish ulje taksash për biznesin e vogël.

“Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës i propozon Këshillit Bashkiak uljen në masën 30% të taksës së biznesit të vogël, për 523 subjekte të biznesit të vogël që kryejnë aktivitetet e prodhimit apo shitjes me pakicë në fushën e punimeve të artizanatit në qytetin e Tiranës. Këtu përfshihen biznese në fushën e punimit të drurit, argjendarisë, artizanatit, punimeve të hekurit, rrobaqepësisë, qëndistarisë etj.

Ky vendim pason uljen dhe reduktimin e 60 taksave dhe tarifave vendore, uljen me 30% të taksave për luleshitësit dhe librashitësit, heqjen për një vit të taksave, për 30 tregtarë të Tregut Ushqimor në Kombinat, që u dogj pak më shumë se një vit më parë, heqjen e taksave vendore për një periudhë kohore 5 vjeçare, për të gjithë ndërmarrjet që punësojnë rishtazi mbi 50 punonjës, në zyrat e regjistrimit të Bashkisë së Tiranës.

Administrata e re e Bashkisë ka dëshmuar në këto 18 muaj se ka në dorë të ulë taksat dhe mund të bëjë shumëçka, kur ka vullnet për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës” - theksoi Tabaku. /albeu.com/

Shtuar më 23/02/2013, ora 12:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori