E rëndë në Prishtinë! Vritet nxënësi 14-vjeçar afër shkollës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Prishtinë. Një nxënës 14 vjeç është qëlluar për vdekje me thikë në Vrajec jo shumë larg shkollës “Hilmi Rakovica”.

Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë.

Zyrtarisht nuk është konfirmuar arrestimi i ndonjë të dyshuari, ndërsa mësohet nga Gazeta Express se në komisariat është shoqëruar një i mitur.

Në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vranjevc ka zbarkuar një numër i madh i zyrtarëve policorë, aty ku mjekët konstatuan vdekjen e viktimës.

Më pas në vendngjarje arriti edhe makina e Mjekësisë Ligjore.

Motivet e kësaj vrasjeje është herët të dihen, por policia tha se po punon intensivisht në zbardhjen e rastit.

” Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë)  dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF),  ku dhe është konstatuar vdekja e tij. Vdekjen e viktimës R.H. mashkull 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë. /albeu.com


Shtuar 1.03.2022 11:10