Të larguarit nga RTSH-ja marrin “hak” ndaj Ramës, mbështesin protestën e Bashës
Në krah të kreut të Partisë Demokratike pasditen e sotme janë shfaqur artistë e intelektualë, një pjesë e të cilëve të larguar nga puna në RTSH.

Në çadrën e ngritur nga PD, prej një jave përpara kryeministrisë kanë shkuar tenori Agim Hushi, kompozitori Edmond Zhulalisi dhe këngëtarja Raina Kovaçi etj. Kujtojmë faktin që Agim Hushi ka qenë kandidat për deputet i PS përballë Berishës në Kavajë në 2005.

Basha ka folur me tone të ashpra ndaj rivalit të tij, kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar se do kriminelë në parlament. Nga ana tjetër duke iu referuar vendimit të sotëm të KQZ­së për Armando Prengën, Basha tha se Ramës nuk i mjaftojnë provat për ta larguar por nuk do asnjë provë për të përbuzur intelektualët.

“Për Ramën nuk mjaftojnë provat për Armando Prengën sepse e do Parlamentin me plehra. Nuk do asnjë provë për të hequr Zhulalin, Raina Kovaçi, vajzën e Ramiz Kovaçit. Asnjë provë për të përbuzur intelektualët. I vetmi faj i tyre është që nuk i mbushin dot xhepat e Ramës me pare dhe hundën e Ramës me drogë”, tha Basha.

Sipas tij, kjo është diferenca mes dy forcave. “Fuqia jonë janë këta njerëz, më të mirët e qytetarëve shqiptarë. Fuqia e Edi Ramës, janë kriminelët, trafikantët që nuk u mjaftua t’i ulë nëpër dreka e darka, t’i fuste në parlament por tani që ka ardhur ora nga dekriminalizmi të qërohen nga institucionet shqiptare është Edi Rama që i mban aty. Ky po i nxjerr banditët përditë nga burgu”, u shpreh kreu i PD­së./Albeu.com/
Shtuar më 24/02/2017, ora 19:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori