Sylejman Selimi te henen ne krye te FSK-se?
Pëlqej
Albeu.com
Të hënën do të emërohet Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Sipas të gjitha gjasave Komandanti i parë i FSK-së do të jetë Sylejman Selimi.
Bordi për krijimin e FSK-së do të bëjë emërimin e komandantit, i cili pritet të jetë komandanti aktual i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Më pas kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i rekomandon presidentit të Kosovës emërimin e komandantit të FSK-së. Krejt në fund, presidenti i Kosovës, që sipas kushtetutës është edhe është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës emëron edhe zyrtarisht komandantin e FSK-së.

Ndërsa, Sylejman Selimi, komandant aktual i TMK-së, tha për Express se ende nuk e di se kush do të jetë komandantë i FSK-së. Megjithëkëtë, ai shtoi se të hënën do të jetë afati i fundit, kur emri i komandantit të FSK-ë duhet të bëhet publik.

“Të hënën është afati i fundit kur duhet të bëhet publik emri i komandantit të FSK-së”, tha për Express Sylejman Selmimi, duke mos treguar se ai do të jetë ai në krye të FSK-së.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi tha për Express se Qeveria do t’i respektoj të gjitha afatet kohore, sipas ligjit.

“Kryeministri duhet të bëjë propozimin e komandantit, në mënyrë që të emërohet nga presidenti. Ma merr mendja që do të respektohen të gjitha datat dhe procedurat, ashtu siç parashihen me ligj. Kështu që unë nuk e di që a është e hëna kjo datë”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Agim Çeku, kryetar i partisë Social-Demokrate të Kosovës (PSDK) të dielën në një konferencë për media tha se Sylejman Selimi mund të jetë komandanti i ardhshëm i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Unë besoj se komandanti i FSK-së do të jetë Sylejman Selimi dhe unë do ta mbështesë atë”, paralajmëroi Çeku.

Ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që anëtarët e TMK-së, që nuk do të jenë pjesë e FSK-së të kenë një përkujdesje për ta.

“Qeveria e Kosovës duhet ta themelojë një zyre për përkujdesje të ish pjesëtarëve të TMK-së”, tha Çeku.

Ai po ashtu kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të filloj implementimin e marrëveshjes për partneritet me NATO-n, që lidhet me ndihmën e Gardës Kombëtare.

“Çdo shtet në tranzicion ka këtë marrëveshje partneriteti me NATO-n, ku SHBA-të luajnë një rol të rëndësishëm”, shtoi Çeku. (nga Artan Behrami & Besnik Ramadanaj, G. Express)
Shtuar më 24/11/2008, ora 00:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori